Ka dështuar edhe raundi i dytë për zgjedhjen e kryesuesit të Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), pasi dy kandidatët Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi, njësoj si në raundin e parë, kanë marrë nga pesë vota secili.
Në votim morën pjesë 11 anëtarë të Këshillit, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Meqenëse asnjëri nga kandidatët nuk arriti shumicën e nevojshme, procesi për zgjedhjen e kryesuesit përfundoi pa rezultat dhe konkursi u rishpall.
Zëvendëskryesuesja Arijeta Sadiku bëri të ditur se vendimi është marrë në përputhje me rregulloren në fuqi, e cila parasheh rihapjen e konkursit në raste kur asnjë kandidat nuk siguron votat e nevojshme. Sipas saj, konkursi do të jetë i hapur për aplikim për një periudhë prej 15 ditësh.
Edhe raundi i parë i votimit kishte përfunduar me rezultat të njëjtë, ku të dy kandidatët kishin marrë nga pesë vota, ndërsa një votë ishte shpallur e pavlefshme. Si rrjedhojë, procesi kishte kaluar në raundin e dytë, i cili po ashtu nuk prodhoi fitues.
Gjatë prezantimit të platformave të tyre, kandidatët shpalosën prioritetet dhe vizionet për drejtimin e KGJK-së. Rrustem Thaqi theksoi se fokusi i tij do të jetë forcimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e llogaridhënies, efikasiteti në trajtimin e rasteve, përmirësimi i qasjes në drejtësi dhe digjitalizimi i sistemit gjyqësor. Ai u zotua për kundërshtimin e çdo ndërhyrjeje që cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe për avancimin e mekanizmave monitorues dhe etikë.
Në anën tjetër, Besnik Bislimaj deklaroi se synimi i tij është ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur dhe transparent, që gëzon besimin e publikut. Ai vuri theks në forcimin e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit, reduktimin e lëndëve të pazgjidhura, avancimin e digjitalizimit, si dhe zhvillimin profesional të vazhdueshëm të gjyqtarëve. Bislimaj gjithashtu theksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë të gjyqtarëve, bazuar në meritë dhe performancë.
Me rishpalljen e konkursit, procesi për zgjedhjen e kryesuesit të ri të KGJK-së rikthehet nga fillimi, ndërsa mbetet të shihet nëse kandidatët aktualë do të riaplikojnë apo do të ketë kandidatura të reja për këtë pozitë kyçe në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Gruda thotë se Limaj nuk ka bërë kërkesë për t’u bashkuar me...
Operacion i befasishëm në kufi – Policia e Kosovës kap ar të...
Rritet sërish çmimi i kurbanit në Kosovë
Kapet një kilogram marihuanë në një veturë në Llapushnik, po...
Ndërron jetë gazetari i sportit, Sami Ademi
Goditet rrjeti i trafikut të drogës