AAK: Projekti i shkollës së muzikës, dështim i kryetarit Muhaxheri

16:10 | 2 Shtator 2016
M. A.

Dega e AAK-së në Pejë, përmes një njoftimi për media, ka shkruar se projekti i shkollës së muzikës, është tregues i joseriozitetit dhe punës joprofesionale në Komunën e Pejës.

Në njoftimin e tyre thuhet se kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri me të ardhur në qeverisje pati angazhuar disa të afërm të tij si inxhinierë me kontrata në vepër, të cilët i mban edhe sot qe tri vite për të mbikëqyrur dhe zbatuar projektet duke u thirr që Komuna nuk po ka profesionistë dhe këta i ka angazhuar për të bërë punë cilësore.

“Për ne, që nga fillimi ka qenë e ditur se qëllimi është të zbatojë sipas dëshirës së tij dhe klanit rreth tij projektet duke anashkaluar stafin civil dhe kjo u dëshmua kur edhe vëllaun e tij e angazhoi në zbatim të projekteve. Për ata që kanë pasur dilema në qëllimin e Kryetarit të Komunës po bëhet e ditur secilën ditë e më shumë qëllimi që dëshira është që përmes njerëzve të besuar të zbatoj projektet”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, treguesi më i mirë i kësaj është projekti i shkollës së muzikës, që po ndërtohet në vendin ku kanë qenë më parë zjarrfikësit.

“Ky objekt i filluar pa leje të ndërtimit me urdhra të kryetarit pa konsulta me ujësjellës e me KEDS ka shkaktuar e po ju shkakton problem qytetarëve dhe dëme të mëdha materiale Komunës së Pejës për shkak të dëmtimeve që po bëhen. Së pari aty është dëmtuar rruga e cila për shkak se ka filluar shumë afër rrugës është shembur dhe është e mbyllur për qarkullim qe dy muaj. Më pastaj për shkak se nuk ka pasur informacion që merren me leje të ndërtimit ka pasur dëmtime në ujësjellës dhe rrjetin e energjisë elektrike duke i lënë qytetarët pa ujë e rrymë”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre, një gjë e tillë dëshmohet me faktin se i tërë objekti është mbushur me ujë dhe janë dëmtuar themelet dhe puna e deritanishme.

“Puna joserioze dhe joprofesionale po dëmton direkt qytetarët edhe në infrastrukturë edhe në shpenzime që duhet të intervenohet me shumë mjete për të rregulluar dëmtimet. Kërkojmë nga organet gjegjëse të mbrojnë paranë e qytetarëve duke marrë masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë përgjegjësi për hartimin, fillimin dhe zbatimin e këtij projekti”, thuhet në fund të njoftimit.

Shpërndaje në rrjete sociale