Erdogan ka akuzuar Gylenin, klerikun turk dhe ish-aleatin e tij politik, raportet e të cilëve u acaruan në vitin 2013, si projektues të grusht shtetit në tentativë nga mërgimi “i vetimponuar” në Saylorsburg, Pennsylvania dhe se është përpjekur për të vrarë atë si pjesë e komplotit.
Kryeministri turk Binali Yildirim tha ditë më parë se Turqia ka ofruar dëshmi për qeverinë e SHBA-së në lidhje me përfshirjen e Gylenit, pasi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kishte deklaruar se Uashingtoni dëshiron prova konkrete, jo pretendime.
Por edhe në qoftë se SHBA-ja pranon se ka prova të mjaftueshme për të ekstraduar Gylenin, procesi i ekstradimit mund të marrë muaj, nëse jo vite, duke përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tendosura mes dy aleatëve të NATO-s në kohën kur janë të përfshirë së bashku në një fushatë ushtarake kundër “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak.
Traktati i vitit 1979
Kërkesa për ekstradimin e Gylenit do të shqyrtohet në bazë të një traktati të vitit 1979 në mes të SHBA-së dhe Turqisë.
Ndër kërkesat e tjera, traktati parashikon përmbajtjen e kërkesës formale dhe kanalit përmes të cilit ajo është komunikuar.
Mbetet e paqartë se çfarë dokumentesh Turqia i ka dorëzuar Uashingtonit. Por duket se nuk kemi të bëjmë me një urdhër “arrestimi ose ndalimi të përkohshëm”, i cili do të kërkonte nga SHBA-ja të arrestojë dhe të ndalojë Gylenin deri në 60 ditë për t’i dhënë kohë Turqisë të përgatisë një kërkesë zyrtare për ekstradim dhe për të mbajtur atë në paraburgim deri në një vendim final për ekstradim, përcjell “Zeri.info”.
Pavarësisht kësaj, kur Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Departamenti i Drejtësisë zyrtarisht të marrin kërkesën dhe të vlerësojnë se kërkesa për ekstradim i plotëson të gjitha standardet e traktatit, ajo procedohet në Gjykatën e Qarkut në SHBA për rrethin e Mesme të Pensilvanisë, ku Gylen ka jetuar si banor i përhershëm që nga viti 1999, sipas dy ekspertëve ndërkombëtarë të ekstradimit.
Në gjykatën e qarkut të SHBA-së rasti ka të ngjarë të trajtohet nga një gjykatës anëtar i nivelit relativisht të ulët të gjyqësorit amerikan, me prezencën e qeverisë së Turqisë të përfaqësuar në mënyrë efektive nga një ndihmësprokuror dhe Gylen-in e mbrojtur nga avokatët e tij, ka thënë Douglas McNabb, një avokat penal ndërkombëtar i cili ka trajtuar dhjetëra raste të ekstradimit. Vetëm kjo fazë potenciale e procesit mund të marrë muaj.
Nëse gjyqtari refuzon kërkesën për ekstradim, Gylen do të lirohej dhe do të lejohej të qëndrojë në SHBA. Nëse, nga ana tjetër, gjyqtari e miraton atë, ekipi ligjor i Gylenit mund të përpiqet për të bllokuar deportimin e tij të menjëhershëm duke apeluar vendimin në sistemin e gjyqësorit federal amerikan.
Edhe pse rastet e ekstradimit pothuajse asnjëherë nuk janë trajtuar nga Gjykata e Lartë e SHBA-së, McNabb tha se ekipi mbrojtës i Gylenit mund t’i drejtohet kësaj gjykate për të shqyrtuar çështjen. Sido që të jetë vendimi përfundimtar i gjykatës për ekstradimin do të vendoset përfundimisht nga sekretari i Shtetit.
Përjashtimi i veprave politike
Traktati i ekstradimit SHBA-Turqi liston 34 kategoritë si “vepra të ekstradueshme”, siç janë krimet që variojnë nga vrasjet, ryshfeti e deri te zjarrvënia, që ndiqen penalisht në të dy vendet dhe të dënueshme me më shumë se një vit në burg. Por traktati gjithashtu parasheh një “përjashtim të veprave politike”, një koncept ligjor sipas të cilit ekstradimi nuk do të miratohet nëse krimi i supozuar është “i natyrës politike”.
Mënyra sesi McNabb e sqaron këtë është se: një “vepër e kryer ose e mbetur në tentativë ndaj kreut të shtetit apo kreut të qeverisë” do të thotë një komplot që ka për qëllim vetëm të rrëzojë një udhëheqës të huaj.
“Por kjo nuk ka ndodhur në këtë rast”, thotë McNabb. “Ajo që ndodhi ishte një kryengritje kundër qeverisë dhe si pjesë e kësaj ekziston një akuzë se gjoja Gyleni u përpoq të vrasë Erdoganin”.
Gylen 75-vjeçar deklaroi për “Reuters” se personalisht ka “vuajtur nën grusht shtetet e shumta” në Turqi dhe ka hedhur poshtë akuzat e qeverisë turke se ka udhëhequr grushtin e shtetit, i cili la më shumë se 290 të vdekur dhe më shumë se 1400 të tjerë të plagosur.
Një goditje e qeverisë turke mbi simpatizantët e dyshuar të Gylenit pas përpjekjes për grusht shtet ka ngjallur frikën e qarqeve perëndimore se Erdogani mund të përdorë këtë ngjarje për t’i heshtur kritikët dhe të konsolidojë pushtetin e tij mbi një vend thellësisht të polarizuar. Dhe shqetësimi mbi përbuzjen e sundimit të ligjit nga qeveria e Erdoganit mund të shtyjë SHBA-në për të hedhur poshtë dëshmitë kundër Gylenit dhe të refuzojë kërkesën për ekstradim.
Por, sipas James Jeffrey, një ish-ambasador i SHBA-së në Turqi dhe një anëtar i shquar në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërt, Uashingtoni nuk duhet të jetë i shpejtë për të hedhur poshtë kërkesën.
Duke futur në përdorim sistemin gjyqësor të SHBA-së, kjo do të ndihmonte të ulen tensionet me Turqinë, thotë Jeffrey, duke vënë në dukje se si kancelarja gjermane Angela Merkel çaktivizoi një krizë me Turqinë në fillim të këtij viti me vendimin e saj për të lejuar ndjekjen e një komiku gjerman, i cili ishte përballur me kërcënimet e një padie për shpifje nga Erdogani mbi një poemë të turpshme.
Porositi një vrasje të mbetur në tentativë për motive gjakma...
U raportua i zhdukur, gjendet personi në Zveçan
Manipulimet me vota, nisin hetimet edhe në Gjilan
Çmimet e arit dhe argjendit kolapsojnë: A duhet të blini apo...
Therja me thikë në Fushë Kosovë, arrestohen katër persona
Tri transferimet që Flick kërkon nga Barcelona gjatë verës