Incidentet në veri, politikanët heshtin

17:59 | 12 Qershor 2016
M. A.

Derisa në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë incidentet e njëpasnjëshme, institucionet po tregohen të pafuqishme në parandalimin e tyre. Për më tepër, nga ta nuk dalin as reagime. Ata po vazhdojnë të qëndrojnë të heshtur karshi gjendjes së pasigurt në veri të vendit.

Ani pse drejtuesit e shtetit të pavarur të Kosovës japin deklarata se komunat e veriut po respektojnë rregullat e vëna nga institucionet e Kosovës, një gjë e tillë nuk duket në praktikë. Veçmas, në respektim të rendit dhe ligjit.

Se sa të sigurt janë qytetarët atje, e tregon edhe rasti i fundit që ndodhi mbrëmë, ku u lëndua një pjesëtar i Policisë së Kosovës, derisa vetura zyrtare në të cilën ai gjendej u sulmua me një bombë, nga persona të panjohur.

Siç ka mësuar KosovaPress, nga sulmi që iu bë patrullës së PK-së, u dëmtuan edhe disa vetura tjera.

Përderisa, Policia e Kosovës është duke hetuar rastin, institucionet nuk treguan interesim për një sulm të tillë.

Për lëndimin e policit të PK-së, Bratisllav Bozhoviç, rrjedhimisht dhe sulmin që iu bë patrullës, nuk pati ndonjë reagim nga ekzekutivi i vendit, partitë politike, apo organizata të ndryshme.

Jo rrallë herë, kur bëhet fjalë për pjesën veriore, të gjithë heshtin. Për dallim nga rastet tjera që ndodhin në qytetet tjera të Kosovës, ku pothuajse të gjithë bëhen pjesë e “dënimit” të akteve të dhunshme përmes komunikatave apo reagimeve publike.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i pyetur nga KosovaPress lidhur me këtë çështje, tha se janë institucionet e vendit ato që vazhdimisht, për qëllime politike, anashkalojnë raste të tilla që ndodhin në veri të vendit.

 

“Institucionet e Kosovës vazhdimisht i neglizhojnë këto raste, shpesh herë me qëllime politike, dhe asnjëherë nuk zbardhen raste të tilla në mënyrë që akterët e tyre të mos arrestohen dhe mos dënohen”, tha ai.

Sipas tij, sulmet atje janë të orkestruara nga strukturat ilegale të Serbis ë dhe institucionet e Kosovës duhet të ushtrojnë sundimin e rendit dhe ligjit atje.

 

“Sulmet atje janë kryesisht të orkestruara nga strukturat ilegale të Serbisë, dhe fatkeqësia është se asnjëherë asnjëri prej këtyre akterëve nuk zihet e vihet para ligjit. ..Natyrisht që është e domosdoshme që institucionet e Republikës së Kosovës, ai aparat shtetëror që merret me sundimin e ligjit vërtetë ta ushtrojë sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, pa dallim”, tha ai.

Ngjarja e ndodhur mbrëmë në veri, pranë ndërtesës “Vampirusha”, si shumë të tjera të ndodhura në atë anë, kaloi në heshtje.

Derisa në jug të Mitrovicës është një gjendje e qetë jetese, mëtanë barrikadave mbi Lumin Ibër, pjesë kjo në të cilën jetesa zhvillohet me pak gjal lëri në rrugë, e automjete pa targa, vazhdon të ketë incidente të shpeshta. Veriu i Mitrovicës mbetet vendi në të cilin nuk gjen simbole shtetërore, e as zbatim të ligjeve të Republikës së Kosovës, situatë kjo, para së cilës pushtetarët e Kosovës heshtin.

Shpërndaje në rrjete sociale