KPK-ja angazhohet që Prokuroria në Mitrovicë të ketë kushte më të mira pune

16:58 | 9 Qershor 2016
M. A.

Në vazhdën e takimeve që është duke i zhvilluar nëpër prokuroritë e Kosovës, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, i shoqëruar nga drejtori i Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, kanë vizituar Prokurorinë Themelore të Mitrovicës dhe të Prishtinës, me ç’rast kanë takuar kryeprokurorët, prokurorë dhe staf administrativ të këtyre dy prokurorive.

Sipas një komunikatë dërguar mediave, kryesuesi Isufaj gjatë vizitave të bërë në këto dy prokurori, është njoftuar me punën që është duke u bërë, me sfidat që po ballafaqohen dhe kushtet e përgjithshme për punë të këtyre prokurorive.

Po ashtu, Isufaj ka thënë se Këshilli Prokurorial dhe Prokurori Shtetit janë duke u angazhuar që Prokuroria Themelore e Mitrovicës të ketë kushte sa më të mira për punë, në mënyrë që efikasiteti në punë të jetë sa më i madh. Në këtë drejtim, u tha se shumë shpejtë do të gjendet një zgjidhje edhe për objektin e kësaj prokurorie.

“Gjatë takimit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kryesuesi Isufaj ka thënë se duke qenë i njohur me numrin e madh të lëndëve që kjo prokurori ka, do të vazhdojë angazhimin e tij, që kësaj prokurorie t’i sigurohen kushte, sidomos profesionale, me qëllim të rritjes së efikasitetit në punë. Kryesuesi i KPK-së ka thënë se dëshiron të jetë i njoftuar nga afër me nevojat që kanë Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe e Prishtinës sa i përket shtimit dhe ndryshimit të numrit të prokurorëve nëpër departamente dhe avancimit të tyre, si dhe shtimit të stafit administrativë dhe ngritjes infrastrukturore”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, lidhur me konkursin e brendshëm për avancimin dhe transferimin e prokurorëve, kryesuesi Isufaj tha se shpallja e këtij konkursi nga KPK-ja, ka për qëllim ngritjen e efikasitetit të punës së prokurorive, përmes transferimit dhe avancimit të prokurorëve në ato vende ku shihet që është e nevojshme.

Shpërndaje në rrjete sociale