Përplasje mes PDK-së dhe LDK-së?

20:26 | 23 Maj 2016
M. A.

Përplasjet mes zyrtarëve të dy partive më të mëdha në vend, PDK-LDK, kanë filluar të dalin në sipërfaqe si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Ishte zëvendësministri i Financave, Isni Kilaj, nga PDK-ja, i cili deklaroi ditë më parë se në këtë dikaster qeveritar partneri i koalicionit (LDK) ka bërë shumë shkelje dhe një gjë e tillë, sipas tij, ka ndodhur edhe në institucione tjetra.

Kilaj e ka akuzuar ministrin Avdulla Hoti se kohëve të fundit ka bërë punësime të anëtarëve të LDK-së në ministri.

Por pavarësisht këtyre përplasjeve dhe akuzave, zyrtarët e dy partive kanë theksuar se koalicioni në nivelin qendror nuk do të prishet.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk e prishin koalicionin me LDK-në, siç thotë ai, pse janë nervozuar dy njerëz.

“Jo more, se pse nervozohen dy njerëz dhe përplasen në politikë nuk e kemi ndërmend të biem të gjithë barkas. Ne jemi në koalicion dhe nuk është biseduar për shpërbërjen e koalicionit”, ka thënë Haliti, duke shtuar se nuk kanë biseduar për këtë e as nuk do të ndikojë kjo në nivelin qendror.

“Jo, jo nuk kemi diskutuar ende. Kjo nuk ndikon as në nivel lokal, e as në nivel qendror”, ka theksuar ai.

Të parëndësishme këtë përplasje për nivelin qendror po i vlerësojnë edhe zyrtarët e LDK-së.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, thotë për gazetën “Zëri” se koalicionin mund ta prishin vetëm kryetarët e dy partive, ata që edhe e kanë nënshkruar koalicionin në nivel qendror.

“Jo, jo nuk e kemi diskutuar, koalicioni është duke funksionuar dhe jemi krejt ‘OK’. Koalicionin mund ta prishë ose PDK-ja ose LDK-ja, ata që e kanë bërë koalicionin, nuk ka të tjerë që mund ta prishin. Absolutisht nivelet lokale nuk kanë efekt në prishjen e koalicionit”, ka thënë Rugova, sipas të cilit nuk ka nevojë as të diskutohet në organet qendrore rreth përplasjeve në koalicionin mes dy partive në Pejë.

“Jo, nuk kemi diskutuar ende, por nuk kemi nevojë as të diskutojmë, është lideri i partisë që vendos për këto, janë nënshkruesit e koalicioneve e jo ne”, është shprehur ai.

Haliti e Rugova mohojnë se këto përplasje do të dërgojnë në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Shpërndaje në rrjete sociale