Prezantohet Strategjia Kombëtare për Zhvillim në Mitrovicë

16:26 | 26 Prill 2016
M. A.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim synon të adresojë sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës deri në vitin 2021. Është hera e parë që Kosova ka një dokument të tillë dhe përfshinë 34 masa të politikës si prioritete të larta.

Kështu u tha mes tjerash gjatë takimit publik të martën në Mitrovicë, me ç’rast u prezantua Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH), përkatësisht shtylla e tretë, ajo e konkurueshmërisë.

Në këtë takim të organizuar nga Zyra për Planifikim Strategjik e Zyrës së kryeministrit, morën pjesë ministri për Zhvillim, Blerand Stavileci, ministri për Bujqësi, Memli Krasniqi, përfaqësues nga Ministria e Tregtisë, komuniteti i biznesit, shoqëria civile, autoritetet lokale, si dhe institucionet tjera të Mitrovicës.

Blerand Stavileci, tha se nëse kapitali njerëzor mobilizohet mirë, atëherë edhe shtyllat tjera duhet t’i arrijnë objektivat dhe rezultatet e pritura.

Ai veç tjerash ka potencuar energjinë elektrike si faktorin kyç për zhvillimin ekonomik në vend, duke thënë se sektori privat ka pësuar shumë si pasojë e mos furnizimit të rregullt me energji.

 

“Zhvillimi ekonomik nuk mund të ketë dhe nuk ka kuptim nëse nuk plotësohet parakushti kryesor që është siguria e furnizimit me energji elektrike. Në këtë drejtim janë bërë shumë analiza dhe studime…Ka dalë një shifër alarmante për humbjen që ka pësuar sektori privat si rezultat i mosfurnizimit të rregullt. Llogaritet diku rreth 300 milionë euro në vit…Kundërpërgjigjja e vetme dhe më adekuate për ta zgjidhur këtë problem ka qenë ndërtimi i kapaciteteve të reja dhe regjenerimi i kapaciteteve ekzistuese…Ne në dhjetor të vitit të kaluar kemi nënshkruar memorandumin me investitorin amerikan për ndërtimin e një termocentrali me kapacitet 500 megavat”, ka thënë Stavileci.

Ai foli edhe për Ndërmarrjen Trepça, duke bërë të ditur se do të bëhet zgjidhja e statusit juridik të saj, ku pas një periudhe industria metalurgjike dhe ajo kimike e Trepçës, t’i eksportohet tregut privat.

 

“Ne si grup punues për Ligjin do ta bëjmë zgjidhjen e statusit juridik dhe do t’i hapim shteg alternativave të reja të cilat pastaj do të dalin nga ky model i zhvillimit ekonomik, sidomos për pjesëne njësive themelore të Trepçës… Ideja është që këto resurse thelbësore të kenë statusin publik pronë e qeverisë së Republikës së Kosovës, ashtu siç parashihet me kushtetutë dhe ligje tjera, në periudhën tre deri në pesë vjeçare të bëjmë një revitalizim, ndërkaq pas kësaj periudhe…industrinë metalurgjike dhe atë kimike, t’ia eksportojmë tregut privat”, theksoi Stavileci.

Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi, tha se Strategjia Kombëtare për Zhvillim do të jetë një udhërrëfyes i angazhimeve të përbashkëta dhe të koordinuara për të adresuar fushat kyçe të cilat do të kenë ndikim në zhvillimin e përshpe jtuar ekonomik të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, pavarësisht rezultateve, sektori bujqësorë ballafaqohet me një numër sfidash, duke përmendur fragmentimin e madh të tokës bujqësore si njërin nga problemet kryesore.

Në këtë takim folën edhe pjesëmarrës tjerë, të cilët shprehën mendimin se këto takime publike kanë për qëllim të bëjnë promovimin dhe rrisin informimin rreth finalizimit të Strategjisë dhe masat që do të ndërmerren për implementimin e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale