Veseli në Prizren: PDK-ja, parti me orientim të qartë ideologjik

20:31 | 25 Prill 2016
M. A.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Kadri Veseli, i ka nisur takimet e tij me anëtarësinë dhe simpatizantët e PDK-së nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, duke iu kërkuar mbështetje për Kuvendin Zgjedhor të PDK-së, i cili do të mbahet më 7 maj.

Ai sot qëndroi në Prizren, ku takoi qindra simpatizantë të PDK-së, më të cilët bashkëbisedoi për prioritetet e tij kryesore dhe u kërkoi besimin për të udhëhequr partinë më të madhe në vend.

Para të pranishmëve në këtë takim, Veseli ka thënë se profilizimi i partisë me një identitet të qartë politik, do të jetë një ndër prioritetet e tij kryesore, raporton Indeksonline.

“Partia Demokratike ka një orientim ideologjik të qendrës së djathtë dhe në të ardhmen synojmë të bëhemi pjesë e grupimeve ndërkombëtare të partive simotra, siç janë European Peoples Party dhe International Democratic Union. Programi ynë, platformat elektorale duhet të hartohen duke propozuar politika e reforma që janë koherente me njëra-tjetrën dhe që janë në harmoni me vlerat e lirisë që ne promovojmë”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, debati politik në Kosovë duhet të largohet nga sulmet personale dhe të fokusohet tek debatet programore, tek konkurrimi me ide e me platforma të qarta politike.

“Kosova ka nevojë që debati mes partive të mos fokusohet tek e kaluara, por tek e ardhmja. Të mos merremi me hatërmbetjet personale, por me vizionin e ardhshëm që ofrohet për të zgjidhur problemet aktuale”, ka thënë Veseli.

Ideologjizimi i debatit politik në Kosovë dhe përqendrimi tek debatet përmbajtjesore me alternativa konkrete, sipas Veselit, do të ndihmonte edhe në uljen e tensioneve politike të muajve të fundit, si dhe do të rriste cilësinë e politikës në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale