Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni në pjesën e dytë të intervistës për Arbresh.info flet për mënyrën e veprimit të Policisë së Kosovës në protestat e opozitës kundër Asociacionit dhe Demarkacionit me Malin e Zi.
Hyseni thotë se ai nuk ka qenë në dijeni se Policia e Kosovës do të ndërhyjë në zyrat e VV-së ku u bënë shumë arrestime dhe se po të pyetej ai, kjo ndërhyrje nuk do të ndodhte.
Po ashtu, Hyseni flet edhe për vrasjet e shumta të pasluftës dhe veprimet që janë duke u bërë për tu zbuluar vrasësit.
Lexoni edhe pjesën e parë të intervistës KËTU
Arbresh.info: Z.Ministër e përmendet policinë e Kosovës si më profesionale në Ballkan, dihet që situata politike në Kosovë nuk është stabile, duke i pasur parasysh protestat, eskalimin e tyre sipas teje sa ka qenë e përgatitur policia e Kosovës dhe si ka vepruar ajo sipas jush?
Unë sërish përmbahem të jap vlerësime sepse nuk jam profesionist, mirëpo i besoj vlerësimit të profesionistëve.
Kemi EULEX kemi UNDP, kemi OSBE që vlerësojnë nga pikëpamja profesionale policinë e Kosovës dhe vlerësimet e të gjithëve pa përjashtim kanëqenë që policia ka bërë punë të shkëlqyeshme në të gjitha protestat e opozitës dhe pse për fat të keq askush nuk ka qenë i përgatitur që policia e Kosovës të përballet me koktej molotovi që është për keqardhje. Në të njëjtën kohë e drejta e protestës është e drejtë e shenjtë, dhe policia e Kosovës nuk është polici e Serbisë por e Kosovës, është policia e jonë.
Policia e ka për obligim që të siguroj një ambient të qetë për protestë të sigurt. Fatkeqësisht disa protestues nuk i janë përmbajtur kësaj.
Dhuna është e papranueshme në politikë edhe në demokraci. Sinqerisht, unë e di, jam i vetëdijshëm për fjalët dhe akuzat që janë bërë, që ka pasur përdorim të tepruar të forcës.
Arbresh.info: Ndërhyrja në selinë e Vetëvendosjes u cilësua si e vrazhdë nga organizata kombëtare e ndërkombëtare, madje disa analistë të kësaj lëmie thanë se ndërhyrje të tilla nuk ka pas as në Jugosllavinë komuniste!
Unë për çdo respekt, ata që kanë thanë se në kohen e ish Jugosllavisë nuk janë bërë, e kanë gabim në kohën e ish-Jugosllavisë na kanë vrarë.
Arbresh.info: Por jo brenda selive partiake, jo brenda LDK-së p.sh.?
Jo nuk është ashtu sepse ato krahasime janë të paqëndrueshme edhe pikërisht këtu konsiston ajo se nuk është e pranueshme që policia e Kosovës të krahasohet me policinë serbe.
Ndërhyrja në zyrat e VV-së në rend të parë është ndërhyrje profesionale, mu më është thënë se policia ka vepruar komfor ligjit dhe unë e besoj atë.
Arbresh.info: Automatiku u është drejtuar në kokë njerëzve të paarmatosur, njerëzve civil dhe anëtarëve të një subjekti parlamentar!
Besoj që i keni pa edhe gurët duke hedhur në polici edhe koktej molotovi.
Arbresh.info: Jo brenda zyrave të selis së partisë!
Po edhe brenda zyrave e keni pa çka ka pas dhe ka konfiskuar policia e Kosovës.
Disa herë në intervista, po e përsëris edhe këtu, policia e Kosovës ka të drejtë të bastisë edhe zyrat e LDK-së në moment që dyshon se ka koktej molotovi. Duhet edhe zyrat e LDK t’i bastis policia nëse ka dyshime.
Unë ju garantoj se si Ministër i Brendshëm nuk kam qenë i informuar që policia ka me ndërhy në zyrat e VV-së. Edhe thjesht nuk duhet me qenë në dijeni sepse me pas pyet policia a duhet ta bëjmë a jo do të ishte shkelje e ligjit, ma mirë që nuk më kanë pyet se ju kisha thanë jo.
Edhe pse unë nuk ngatërrohem në punët e policisë është drejtori i përgjithshëm i policisë që merr vendime në pajtim me ligjin. Ministri i Brendshëm është mbikëqyrës civil i zbatimit të ligjit pikë, unë këtu shërbej me e pa policinë a po e zbaton ligjin.
Nëse e zbaton ligjin ok, nëse e shkel ligjin e kam Inspektoratin Policor, ftoj çdo qytetar që për çdo rast të shkeljeve të lajmëroj qoftë edhe në komunikacion,këtu jam i pa kompromis siç jam p.sh. nëse thuhet se VV ka të drejt me djeg policinë me koktej molotovi, nuk guxon askush me e prek VV-në, përkundrazi është e papranueshme, e dënueshme ligjërisht, e papranueshme politikisht, koktej molotovi nuk guxon të ndodh në një demokraci të re.
Arbresh.info: Megjithatë z. ministër koktej molotovi është përdorur edhe në botën demokratike, në kryeqendrën Europiane, Bruksel?
Në Bruksel nëse hidhni koktej molotovi në polici ju garantoj se nuk shpëtoni pa 5 vjet burg, nuk mund të aplikojmë metoda negative krahasimtare edhe të themi se po vrasin njerëz në Athinë hajde të vrasim edhe ne këtu.
Është një metodë krahasimtare ekstrem absurde, tmerrësisht negative.
Ne duhet të bëjmë krahasime tjera, si në Suedi ku nuk ka koktej molotovi, as gaz lotsjellës në Kuvend, në anarki lejohen të gjitha, në një shtet që ka sundim anarkik. Në Nigeri çdo gjë lejohet, në Kosovë jo, edhe demokraci sado e brishtë që është, ne do të veprojmë si shtet që ta ruajmë shtetin, t’i ruajmë institucionet, ta ruajmë rendin, sot është ministër Skënder Hyseni, nesër mund të jetë dikush i opozitës, t’ua lëmë zgjedhjeve ta prodhojnë rezultatin. Ai i njëjti duhet të veprojë si unë sot.
Arbresh.info: Gjatë fushatave zgjedhore, gjatë tubimeve të ndryshme, madje edhe në emisione televizive, krerët e partisë suaj kanë thënë se sapo të vinë në pushtet do t’i zbardhin vrasjet enigmatike të pas luftës që janë bërë kryesisht njerëzve eminent të LDK-së. Sa keni bërë ju deri më tani për zbardhjen e këtyre rasteve tash pasi që jeni edhe në ministrinë përkatëse?
Mirë që e bëre këtë pyetje, unë nuk jam në dijeni që dikush nga LDK ka thënë se do të zbardhen këto raste, unë të paktën nuk kam bërë premtim të tillë sepse nuk është në natyrën time të jap premtime pa pasur mbështetje të fortë.
Në të njëjtën kohë unë besoj që edhe pse nuk e kanë bërë asnjëherë një premtim të tillë jam shumë më i interesuar se ata që kanë bërë premtime. Kam arsyeje edhe personale që të zbardhen ato se miqtë ma të ngushtë shokët ma të mirët kanë qenë Xhemail Mustafa e Enver Maloku, nga shkolla fillore deri sa jemi bërë burra.
Nuk mund të veproj organi i hetuesisë mbi bazën e perceptimit, kush mund t’i ketë bërë ato vrasje, duhet me nis arrestime me kamion por drejtësia vepron mbi bazën e fakteve.
Mua më ka akuzuar dikush pse nuk po hetoj unë atentatin ndaj presidentit Rugova, mirëpo i njëjti që e ka bërë këtë akuzë nuk e ka ditë që unë kam qenë në veturë me presidentin Rugova kur na ka ra ajo bomba e famshme në veturë.
Pyetje e thjeshtë është a nuk është normale që unë jam njeriu më i interesuar për zbardhjen e këtyre rasteve, “me ditë kush është ai që ka dashtë me na qu në hava”, mirëpo ato janë punë të hetuesisë, janë punë që i kanë kryer institucionet ndërkombëtare, hetimet dhe ka vështirësi në atë plan, unë jam duke bërë çdo përpjekje për këto raste, këto vrasje janë “dangë” për këtë popull. Nëse mbeten situata të paqarta atëherë gjithmonë mbesin thashethemet. Unë kam marr telefonata anonime duke më thënë se: unë e kam hedh eksplozivin, kam dashtë me te vra, thjesht i kam thënë, nëse ke prova dorëzoi në prokurori, tash nuk mund të bëhem prokuror e as gjykatës. Ndërkohë që unë ju sigurojë që do të zbardhen.
Arbresh.info: A do të zbardhën këto vrasje gjatë mandatit tuaj z. Ministër?
Jo unë nuk jap as një datë ndoshta nesër mund të del në dritë. Çdo ditë përpiqem të bëj diçka në këtë drejtim. Kaq nuk mund të them ma shumë, çka do që them e lëndoj integritetin e hetimeve./Z.Bekteshi./Arbresh.info.
Drake shfaqet sërish me simbolin kombëtar shqiptar
42 aksidente dhe mbi 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fundi...
Erërat e forta shkaktojnë dëme në disa zona të Prishtinës
Sergio Ramos blen ish-klubin e tij Sevillan për 450 milionë ...
Rama nis vizitën zyrtare në Izrael, kjo është agjenda për so...
Masakër në një ndeshje futbolli në Meksikë, të paktën 11 të ...