Hyseni: Organizatat joqeveritare po kryejnë punë dreqi

12:49 | 22 Prill 2016
Arbresh.info

Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, në një intervistë për Arbresh.info, foli për ekstremizmin e dhunshëm dhe për të arriturat e Kosovës në raport me ekstremizmin fetar, ai tha se Kosova po bën shumë sa i përket ekstremizmit të dhunshëm.

I pyetur se a ka pasur mundësi të bëhet më shumë në parandalimin e këtij problemi global që po e prek edhe Kosovën, Hyseni e pranon se është dashur të punohet më shumë mirëpo siç ka thënë, kjo ishte përgjegjësi e ministrit paraardhës.

Po ashtu gjatë kësaj interviste, Hyseni foli edhe për pranimin ose mos pranimin e Kosovës në Interpol pas aplikimit në këtë institucion, e për këtë ai thotë se është optimist se do të ndodh së shpejti.

Arbresh.info: Cilat janë zotimet që Kosova ka për rrezikimin e ekstremizmit të dhunshëm?

Deri vonë mendohej se ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi ka për shënjestër vetëm vende të caktuara, shtete të caktuara, është problem vetëm i ndonjë shteti.

Deri me 11 shtator, ato sulmet monstruoze në kullat binjake, mendohej që puna e terrorizmit është çështje e Amerikës e jo e pjesës tjetër të botës.

Ndërkohë që zhvillimet e më pastajme, ngjarjet në Paris, në Belgjikë, akte terroriste nëpër gjithë botën e kanë forcuar tash vetëdijen, se terrorizmi është problem global, terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm janë probleme trans-nacionale që nuk e kursejnë as një vend, dhe me ketë nuk kursehet as Kosova.

Për ma tepër për fat të keq Kosova është në krye të listës që ka dhënë shumë në luftërat terroriste të ISIS-it, ky është lajmi për fat të keq. Po lajmi tjetër për fat të mirë është që Kosova është po ashtu vendi që e ka bërë progresin ma të madh të mundshëm në Evropë po e them pa hezitim në të gjithë Evropën, në adresimin e terrorizmit dhe ekstremizmit dhe tash po futemi në muajin e 9 që Kosova nuk ka regjistruar as një që kanë shkuar në Siri e Irak.

Arbresh.info: Zyrtarisht z.Hyseni nuk kanë shkuar qe 9 muaj, mirëpo sipas mediave thuhet se kanë shkuar, sa po bën Kosova për vetëdijesimin e qytetarëve se nuk ja vlen të luftosh në një luftë pakuptim?

Kosova po bën shumë, dhe unë nuk dua t’i komentoj shkrimet në media sepse në të vërtet nuk e di ku i marrin, por unë ju flas nga informacioni zyrtar i njësisë anti-terroriste të Republikës së Kosovës, brenda Policisë së Kosovës, gjatë 9 muajve të kaluar nuk kemi regjistruar as një rast të vetëm.

Gjatë 9 muajve të kaluar kemi pasur një apo dy aksione të suksesshme të ndaljes në aeroport. Njëri rast në Prishtinë tjetri në Stamboll dhe kthimin e tyre, domethënë, nuk i kemi lejuar për të shkuar.

Ka plot fushata vetëdijesuese që zhvillohen në heshtje, ta zëmë këshilltarja ime kryesore sot është në Gjilan pikërisht duke folur kundër ekstremizmit të dhunshëm me qytetarët, me grupe të shoqërisë civile, me gazetarë.

Gjatë vitit të kaluar unë kam vizituar secilën komunë të Republikës së Kosovës, jam takuar me këshillat komunalë për sigurim në bashkësitë të secilës komunë.

Këshillat komunale përbëhen përpos kryetarit që e udhëheq është drejtori i arsimit, kryemami, është kryeprifti, nëse ka të komunitetit të krishterë, është përfaqësuesi i medias, janë përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit të shoqërisë civile, d.m.th janë të gjitha shtresat e kategorisë sociale të përfaqësuara dhe kam biseduar me të gjithë hapur. Mediat kanë qenë të pranishme gjithkund ku është biseduar për deradikalizmin për nevojën e parandalimit të radikalizmit në baza fetare.

Arbresh.info: A ka pas mundësi që kjo të ndodh edhe më herët, kur e dimë që ligjëratat e disa hoxhallarëve kanë qenë publike dhe janë ende publike disa?

Po ka pas mundësi, fatkeqësisht nuk është bërë dhe unë këtë e them jo për ta kritikuar paraardhësin tim ose për ta kritikuar Qeverinë e kaluar, po e them me keqardhje që nuk është bërë sa duhet ma herët si duket nuk kanë qenë të alarmuar. Ku e di unë cilat kanë qenë arsyet, sido që të jetë që nga dita kur unë e kam marrë këtë ministri për ta udhëhequr, çështjen e ekstremizmit, të terrorizmit të dhunshëm e kam vendos prioritet numër një, është në krye të listës së prioriteteve të mija dhe jam marrë aktivisht që nga dita e parë.

Përpos që e kemi ndaluar shkuarjen drejt Sirisë dhe Irakut, i kemi identifikuar të gjitha pikat, përkatësisht të gjitha selitë ose foletë që shërbejnë ose për indoktrinim për ekstremizmin, radikalizëm ose për rekrutim në gjithë Kosovën dhe për këtë arsye, unë në këtë vit kam marr vendim që tu anulohen licencat e punës 16 organizatave të ashtuquajtura jo qeveritare, ato figurojnë si organizata joqeveritare por kryejnë punë dreqi.

Mbi bazën e informacioneve inteligjente që kam marrë nga AKI-ja e burime të ndryshme, unë kam marrë vendim që t’i sugjeroj Ministrisë së Punëve të Administratës Publike që t’ua ndalojnë punën atyre dhe këtë do ta bëjmë.

IMG_2220

Arbresh.info: Si po e arrini t`ua ndaloni pjesëmarrjen në këto luftëra?

Përpos kontakteve me imam që kemi çdo ditë, ato i bëjmë larg vëmendjes së publikut sepse çështja e radikalizmit nuk do të duhej të bëhej për përftime politike, është interes i Kosovës që ta ruajmë karakterin sekular si shtet qe e ka të garantuar me Kushtetutë.

Unë kisha takim me ministrin e brendshëm belg para disa kohësh dhe ai ma tha troç dhe po e them këtu pa asnjë hezitim, tha: “ne kemi nevojë për këshilla tuaja, qysh ja keni dal ju t’i bëni këto”, po ashtu ju e dini Xhon Kerry, Sekretari Amerikan i Shtetit, erdhi në aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe tha që “Kosova ka vendosur standarde shumë të larta kundër luftimit të terrorizmit”. Kjo mua mu përsërit në Uashington me vlerësim të lartë.

Arbresh.info: E përmende paraardhësin tënd, kjo ministri ka pasur skandale të mëdha, si qëndroni tash?

Është histori, ajo punë është çështje me të cilën merret hetuesia, prokuroria.

Mund t’ju them se si ministër në Ministrinë e Brendshme po i bëj 16 muaj dhe nuk ka pasur as një skandal dhe unë jam i përkushtuar fuqishëm që të vazhdoj kështu.

Ne kemi një polici të shkëlqyeshme dhe nuk lejojmë që individët e caktuar t’ia prishin imazhin policisë.

Prandaj kohëve të fundit vëmendje të veçantë jam duke i kushtuar Inspektoratit të Policisë.

Kështu në zhargon thuhet se Inspektorati është “policia e policisë”. Kështu që në këtë plan, unë jam rigoroz, në njëjtën kohë jam fanatik e mirënjohës për policinë sepse ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe vazhdon ta bëjë.

Ky nuk është vlerësim i imi, është vlerësim ndërkombëtar që policia e Kosovës është ma e mira në rajon, policia më profesionale dhe më e pa korruptuar, unë nuk them që nuk ka, por krahasuar me vendet tjera është në listën e përsosjes.

Arbresh.info: Sa i përket kërkesës që është bërë në Interpol, kur do të ketë Kosova një përgjigje?

Besoj se do të ketë përgjigje shpejt, ne duhet shpresojmë që do të ketë përgjigje pozitive.

Arbresh.info: Kur, shpejt?

Nuk mund t’ju them sepse unë nuk jam njeri që futem në atë grackën e afateve strikte. Nëse thua afate strikte gjithmonë mund të dalësh i gabuar, ne kemi aplikuar për anëtarësim në Interpol dhe jam duke punuar po ashtu ditë e natë që kjo të ndodh.

Herën e fundit kam qenë në mars, e kam takuar sekretarin e përgjithshëm në Lion te selia e Interpolit, janë takime që zhvillohen në diskrecion, jo për shkak të mungesës së sensit për transparencë po janë çështje më delikate që kërkojnë diskrecion.

Nuk guxojmë ta lëndojmë procesin, nuk është gjithçka lojë futbolli që luhet para kamerave, në këtë kuptim ne jemi duke punuar.

Interpoli si organizatë neutrale që është nuk është një organizatë politike por është një organizatë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, duhet të kihet parasysh se Kosova i plotëson të gjitha kushtet dhe me anëtarësimin e Kosovës nuk përfiton veç Kosova, përfiton po aq shumë edhe Interpoli .

Një përparësi e kemi që fatbardhësisht Interpoli nuk është trup ose organizatë e OKB-së, nuk është organ i OKB-së. Unë lexova këto ditë në media që pretendojnë se janë njohës të mirë të sigurisë, thanë që Interpoli është organizatë e veçantë e OKB-së. Nuk është organizatë e veçantë, Interpoli s`ka të bëjë me OKB-në asgjë.

Arbresh.info: Cilat janë pengesat e mundshme që mund t’i ketë Kosova për anëtarësim në këtë organizatë?

Ne e kemi një pengesë të vogël që UNMIK-u ka pas dikur një memorandum mirëkuptimi me Interpolin, dhe po përpiqem me e tejkalu atë.

Policia e Kosovës e ka një zyrë të shkëlqyeshme për Bashkëpunim Ndërkombëtar për rend dhe ligj dhe unë po shpresoj se do ta kthejmë shpejtë në zyrë të Interpolit në Kosovë.

Pra jemi duke i bërë të gjitha përpjekjet e mundshme, në këtë pikë, unë jam shumë optimist./Z.Bekteshi/Arbresh.info.

Vijon

Në pjesën e dytë: Çfarë thotë ministri Hyseni për vrasjet ende të pa qarta të Xhemail Mustafës e Enver Malokut dhe deri ku ka shkuar drejtësia në zbardhjen e këtyre rasteve. A ishte, sipas Hysenit intervenimi i Policisë në zyrat e lëvizjes Vetëvendosje i tepruar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale