Të moshuaret e shtëpisë së pleqve kërkojnë vizitorë më shpesh

13:18 | 12 Mars 2016
M. A.

Kohën e tyre mundohen ta kalojnë duke bërë punë dore. E atë punë dore që e bëjnë, fatkeqësisht nuk kanë fëmijë, nipër e as mbesa që të ua dhurojnë. Por ajo nuk iu shkon huq, pasi që me zemërgjerësi të madhe, punën e tyre ua dhurojnë atyre që i vizitojnë. Por janë të paktë ata që i vizitojnë këto gra në shtëpinë e pleqve në Komunën e Prishtinës.

Por dëshira më e madhe për to po del të jenë bisedat që i shkëmbejnë me vizituesit. Ato thonë se kjo është mënyra e vetme që t’u largohet mendja nga ditët e tyre të zakonshme që i jetojnë në këtë institucion.

Për Jakute Turjakan e cila tani e disa vite është banore e kësaj shtëpie ishte kënaqësi kur në vizitë i erdhi vëllau.

 

“Po ka ardhur vëllau edhe do të afërm. Dimrit kanë ardhur më rrallë e verës vinë më shpesh. Vinë nganjëherë me më marrë”, tha ajo.

Këtë përkujdesje institucionale personat e moshuar në Kosovë e gëzojnë falë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Udhëheqësi i Divizionit për Përkujdesje Institucionale, Qazim Gashi tha për KosovaPress se këta persona që vendosen në këtë shtëpi janë kryesisht ata t? ? cilët gjatë jetës së tyre nuk kanë pasur fëmijë dhe kanë mbetur të vetmuar. Për vizitat që u bëhen atyre, ai tha se personat e moshuar vizitohen kryesisht nëpër festa.

 

“Shtëpia e personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, është një shtëpi me karakter të hapur por është e rëndësishme se personat e moshuar që vendosen aty në bazë të udhëzimit administrativ që i përcakton qartë kriteret janë persona që gjatë jetës, nuk kanë pasur fatin të kenë fëmijë biologjik ose të birësuar e që janë raste në ekstrem sociale….. Këta persona që janë në përkujdesje 24 orë….këta vizitohen vazhdimisht, kryesisht gjatë festave por edhe gjatë muajit kemi vizita të përditshme nga farefisi i tyre, të afërmit dhe shoq ëria e tyre… nxënës të ndryshëm, studentë, qytetarë bamirës etj. Kështu që këto vizita bëhen me qëllim edhe ata ta ndinë veten se edhe ata janë të vlefshëm, dhe ta dinë se ende dikush mendon për ta dhe asnjëherë nuk janë të harruar”, tha Gashi.

Zgjidhja më e mirë për Xhevrie Sylejmanin, e cila kishte mbetur e vetmuar në shtëpinë e saj për disa vite në fshatin Orllan, ishte të vendosej në këtë shtëpi të pleqve. Së paku këtu do të ketë përkujdesje 24 orësh nga mjekët, pasi që prapa kamerës ajo tha se kishte pasur ditë kur nuk kishte mundur të shkonte as nuk kishte kush ta dërgonte te mjekët.

Por Xhevria thotë se malli për shtëpinë e saj ku jetoi për 53 vite rresht, nuk do t’i largohet asnjëherë. Edhe ajo si gratë tjera shprehet se vizitat që i bëhen, janë ato që ia heqin mërzinë sadopak.

“Na kemi qejf me na vizitua dikush se na mërzitëm, hiq asgjë mos me na pru, vetëm me na vizitua qejfi na bëhet. Vinë edhe prej familjes, vinë e më marrin. Sa herë duam dalim, edhe këtu nuk na pengojnë. Më së shumti malli më merr për vendin tim ku kam jetuar për 53 vjet(Orllan të Podujevës)….. tonat i kemi por do kushte i kemi do si kemi, unë e kam pru krevatin vet, dikush i ka krevatet shumë të keq ato plakat është zor me qëndrua në ata krevat, do banjo me i pas ma mirë kishim pas qejf, por uji nuk ndalet kurrë nxemje kemi por s’jemi keq. Doktorin e kemi të mirë, këto motrat”, u shpreh Xhevria.

Mesazhi i tyre për të gjithë ata që i shikojnë do të ishte mirë që t’i vizitonin dhe mos i harronin.

 

“Me ardh ndonjëherë me na pa, me na vizitua, gëzohem. Po faleminderit po vinë me na vizitu. Shyqyr që është ky vend e nuk i bëhemi nevojtarë askujt”, tha ajo.

Në këtë Institucion momentalisht janë të vendosura 70 banorë prej tyre 37 janë meshkuj dhe 33 gra. Sipas Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale të gjithë banorët e moshuar të vendosur në këtë shtëpi të pleqve janë ata të cilët nuk kanë pasur fëmijë gjatë jetës së tyre dhe kanë mbetur pa përkujdesje familjare.

Shpërndaje në rrjete sociale