“Edukimi për media”, lëndë shumë e nevojshme për nxënësit parauniversitar

15:34 | 22 Shkurt 2016
M. A.

Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi ka pritur sot në takim profesorët e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqin dhe Sali Bashotën, me të cilët ka biseduar për mundësinë e futjes së lëndës për media në arsimin parauniversitar të Kosovës.

Rektori Bajram Kosumi e ka vlerësuar shumë të nevojshme futjen e lëndës “Edukimi Medial” në arsimin parauniversitar, duke thënë se nxënësit e shkollave të mesme do të përfitonin shumë duke u njohur me efektet pozitive dhe negative që i ka media.

Ndërsa profesori i Gazetarisë në UP, Milazim Krasniqi ka thënë se arsyeja se pse lënda “Edukimi Medial” duhet të inkuadrohet në arsimin parauniversitar është se sot mësimi nuk është klasik dhe nxënësit mësojnë jo vetëm në shkollë por edhe nga mediat, gazetat, radiot, televizioni, internetit etj., andaj ajo lëndë duhet sa më parë të përfshihet në arsimin parauniversitar.

Në takim u tha se në shoqërinë e sotme një lëndë për mediat dhe përdorimin e tyre është e nevojshme dhe duhet të futet në planprograme që individi i vërshuar nga të gjitha anët me informacione, të jetë në gjendje të dallojë se cilat janë interesat e mediave dhe cilat janë interesat e publikut.

Shpërndaje në rrjete sociale