Një 21-vjeçar i kërkuar me urdhërarrest aktiv është arrestuar të martën mbrëma në Shtime, pasi tentoi t’i ikte policisë me automjet dhe më pas në këmbë.
Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, ngjarja ka ndodhur më 29 korrik rreth orës 22:15, kur hetuesit e stacionit policor në Shtime, gjatë patrullimit në rrugën “Tahir Sinani”, kanë vërejtur një automjet, shoferi i të cilit nuk u kishte dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar.
Policia i ka dhënë sinjal për ndalim, por drejtuesi i automjetit nuk është bindur urdhrave dhe ka vazhduar lëvizjen. Pas aktivizimit të sinjalizimit të automjetit policor, ai ka rritur shpejtësinë dhe ka kryer manovra të rrezikshme në komunikacion, duke tejkaluar automjete madje edhe përmes trotuarit.
Pas një ndjekjeje të shkurtër, i dyshuari ka hyrë në rrugën “12 Qershori”, ku është përballur me një rrugë pa dalje. Ai ka ndaluar automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është ndjekur nga një hetues policor, i cili, pas urdhrave verbalë për ndalim, ka arritur ta neutralizojë dhe arrestojë.
Pas shoqërimit në stacionin policor, është konstatuar se i arrestuari, me inicialet A.S. (21), ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv. Sipas policisë, ai ishte arratisur nga një institucion korrektues gjatë vuajtjes së dënimit dhe për rreth tre vjet kishte qëndruar jashtë vendit.
Me vendim të gjyqtarit kompetent, A.S. është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore./Arbresh.info
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...