Në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar kujtimin e zyrtarëve policorë që humbën jetën gjatë shërbimit.
Në një ceremoni homazhesh pranë Lapidarit të Policëve të Rënë në Prishtinë, u vlerësua sakrifica e tyre për mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi është më i sigurt se më parë dhe se institucionet e sigurisë kanë treguar qëndrueshmëri përballë sfidave të vazhdueshme.
“Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë pa dallim”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, Zymberi mbetet simbol i mbrojtjes së shtetit dhe i përkushtimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Rënia e tij frymëzoi shumë policë të Kosovës që të vazhdojnë shërbimin në mbrojtje të qytetarëve”, tha ai.
Kurti përmendi edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke përfshirë rastet e vrasjes së Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, si dhe largimin e policëve serbë nga institucionet e sigurisë në vitin 2022.
“Megjithatë, qëllimi i tyre dështoi, pasi nuk u rrënua karakteri shumetnik i Policisë sonë dhe nuk u cenuan sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional”, deklaroi ai.
Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë dëshmuar forcë dhe rezistencë gjatë viteve të fundit.
“Republika e Kosovës sot është më e sigurt se kurrë, ndërsa institucionet tona të sigurisë kanë treguar se janë të afta të përballen me çdo sfidë”, përfundoi Kurti./rtk
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...
“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu...
Pas Uellsit edhe Federata e Futbollit gati për t’i hequr mbë...