Kufijtë pa ngarkesë, Dheu i Bardhë mbetet pika me pritjet më të gjata

09:53 | 20 Korrik 2026
E.G

Sipas përditësimit më të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, qarkullimi në pjesën më të madhe të pikave të kalimit kufitar po zhvillohet normalisht, pa pritje të gjata.

Në shumicën e vendkalimeve, koha e pritjes për automjetet, si në hyrje ashtu edhe në dalje, varion nga 1 deri në 10 minuta, ndërsa nuk janë raportuar kolona.

Pika kufitare Dheu i Bardhë mbetet e vetmja me pritje më të gjata. Në hyrje, qytetarët po presin deri në 25 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur rreth 300 metra. Në dalje, pritja është rreth 15 minuta, me kolonë prej afërsisht 200 metrash.

Ndërkohë, në pikat kufitare Bërnjak, Jarinje, Merdarë, Hani i Elezit, Vërmicë, Kullë dhe Qafë e Morinës, qarkullimi po zhvillohet pa pengesa, me pritje minimale dhe pa kolona.

Edhe për automjetet transportuese të mallrave, situata paraqitet e qetë në të gjitha pikat kufitare. Pritjet për kamionë janë rreth 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk janë evidentuar kolona.