Haxhiu pjesë e ceremonisë që shënoi 20-vjetorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit

10:42 | 17 Korrik 2026
Q L

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka mbajtur ceremoninë përmbyllëse të “Javës së Agjencisë”, e organizuar nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”.

Në këtë ceremoni mori pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, partnerë të APK-së dhe të ftuar të tjerë, shkruan Arbresh.info.

Gjatë aktivitetit u vlerësua rrugëtimi 20-vjeçar i Agjencisë në forcimin e integritetit institucional, promovimin e transparencës dhe parandalimin e korrupsionit. U theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e angazhimit të vazhdueshëm për rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike.

Ceremonia shënoi përmbylljen e aktiviteteve të organizuara në kuadër të “Javës së Agjencisë”, të cilat kishin për synim promovimin e integritetit, llogaridhënies dhe ndërgjegjësimit për luftën kundër korrupsionit./Arbresh.info/