“I hodhi benzinë vetes dhe kërcënoi policët me thikë”, arrestohet 16-vjeçari në Ferizaj bashkë me nënën

13:59 | 10 Korrik 2026
E H

Një 16-vjeçar është arrestuar në Ferizaj nën dyshimet për tentim vrasjeje, sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe vjedhje, pas një incidenti që nisi me sulmin ndaj qytetarëve me thikë në qendër të qytetit.

Sipas Policisë, rreth orës 07:50 është raportuar se një person po sulmonte qytetarët me një mjet të mprehtë në sheshin e qytetit. Në vendin e ngjarjes, policia ka konstatuar se një person kishte pësuar lëndime nga thika, ndërsa një qytetar tjetër ishte lënduar gjatë tentimit për t’u larguar nga i dyshuari, i cili ishte arratisur.

Pas veprimeve intensive hetimore, policia e lokalizoi të dyshuarin fillimisht në banesën e tij dhe më pas në një adresë në fshatin Greme.

Sipas njoftimit, 16-vjeçari ka refuzuar urdhrat e policisë, duke i sulmuar zyrtarët me gurë, mjete të forta dhe më pas duke u vërsulur ndaj tyre me thikë. Gjatë ndërhyrjes, nëna e tij, 47 vjeçe, dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës.

Policia bën të ditur se në një moment i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, ndërsa vazhdonte t’i kërcënonte policët me thikë.

Gjatë arrestimit, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës.

I dyshuari me inicialet P.GJ. (16) është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ. (47). Policia ka sekuestruar edhe thikën që dyshohet se është përdorur në sulm.

Me vendim të prokurorit të shtetit, 16-vjeçari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim./Arbresh.info