Messi zbulon pse shpërtheu në lot: Ishte një përzierje lumturie dhe lehtësimi, donim të vazhdonim në këtë Botëror jo të largoheshim

23:18 | 7 Korrik 2026
D.H

Lionel Messi ishte një nga heronjtë e Argjentinës në përmbysjen spektakolare 3-2 ndaj Egjiptit, duke kontribuar me një asistim dhe një gol, pavarësisht se në pjesën e parë kishte humbur një penallti.

Pas sigurimit të kualifikimit në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, kapiteni i Argjentinës nuk e fshehu lumturinë për mënyrën se si skuadra e tij arriti ta përmbyste rezultatin.

“Jemi shumë të lumtur që u kualifikuam dhe sidomos për mënyrën se si e bëmë. Situata u bë shumë e vështirë kur ishim në disavantazh 2-0. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm ta përmbysnim sërish. Vuajtëm shumë, por ky është Botërori dhe çdo ndeshje është shumë e fortë”, tha Messi.

Ai lavdëroi karakterin e bashkëlojtarëve, duke theksuar se Argjentina nuk dorëzohet kurrë.

“Ishte një lehtësim për të gjithë. Nuk është e lehtë ta përmbysësh një rezultat 0-2, por ky grup nuk i ul kurrë krahët. Goli i shpejtë i Cristian Romeros na dha shpresë se kishim ende kohë. Ajo që bëri skuadra sot është e pabesueshme dhe jam shumë i lumtur që tifozët tanë mund të vazhdojnë ta shijojnë këtë rrugëtim”, deklaroi ai.

Messi foli edhe për lotët që derdhi menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit.

“Nuk është e lehtë, sepse askush nuk të fal asgjë. Ishte një përzierje lumturie dhe lehtësimi. Ne donim të vazhdonim në këtë Botëror, nuk donim të largoheshim. Jam jashtëzakonisht i lumtur për të gjithë”, u shpreh Messi.

Argjentina në çerekfinale e pret fituesin nga ndeshja Zvicër – Kolumbi./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale