Trajneri i Egjiptit shpërthen pas eliminimit nga Argjentina: Ndoshta donin ta mbanin Messin në Botëror

22:21 | 7 Korrik 2026
D.H

Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, ka hedhur akuza të forta pas humbjes dramatike 3-2 ndaj Argjentinës në 1/8 e finales së Kupës së Botës 2026.

Egjipti ishte shumë pranë një prej befasisë më të mëdha të turneut, pasi udhëhiqte 2-0 deri në minutën e 79-të. Megjithatë, kampionët në fuqi realizuan tre gola brenda 14 minutave të pjesës së dytë dhe siguruan një përmbysje spektakolare për të kaluar në çerekfinale.

Pas ndeshjes, Hassan sugjeroi se rezultati u ndikua nga faktorë që shkonin përtej asaj që ndodhi në fushë.

“Ne ishim më të mirë se kampionët në fuqi, më të mirë në çdo aspekt, por rezultati u ndikua nga faktorë të brendshëm në fushë dhe faktorë të jashtëm jashtë saj. Ndoshta donin ta mbanin kampionin e botës në garë. Ndoshta donin që Messi të vazhdonte rrugëtimin në këtë Botëror”, deklaroi ai.

Trajneri egjiptian pretendoi se skuadra e tij u dëmtua nga vendimet e arbitrave, duke përmendur një penallti të paakorduar ndaj Mohamed Salah dhe një gol të anuluar, që sipas tij u anulua në mënyrë të pashpjegueshme.

“Një penallti nuk u dha dhe as nuk u rishikua nga VAR-i. Goli ynë i dytë u anulua për arsye që nuk i kuptojmë. Të gjithë e panë fanellën që u tërhoq, por nuk pati as kontroll nga VAR-i”, tha Hassan.

Ai shtoi se Egjipti kishte shprehur rezerva edhe për përzgjedhjen e gjyqtarit para ndeshjes dhe u shpreh i bindur se skuadra e tij nuk u trajtua në mënyrë të drejtë.

“Nuk jam i bindur nga mënyra se si u zhvillua kjo ndeshje. Do të doja ta quaja thjesht fat i keq, por ne u trajtuam padrejtësisht dhe kjo ishte një padrejtësi e madhe”, përfundoi trajneri i Egjiptit.

Argjentina në çerekfinale do ta presë fituesin e takimit Zvicër – Kolumbi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale