Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Radoniqi fton qytetarët të dalin në zgjedhje

07:30 | 7 Qershor 2026
E.G

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar zyrtarisht hapjen e procesit zgjedhor në Kosovë, pas vizitës së tij në Pejë, ku u hapën qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Para mediave, Radoniqi tha se sipas informacioneve që ka KQZ-ja, procesi i votimit ka nisur në kohë, në orën 07:00, falë përgatitjeve të kryera me kohë nga institucionet përgjegjëse.

“Me këtë rast u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, në mënyrë që me votën e tyre t’i zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Radoniqi.

Ai theksoi se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit, i zhvilluar një ditë më parë, ka kaluar pa probleme dhe sipas planifikimeve.

Sipas Radoniqit, bazuar në të dhënat paraprake, pa përfshirë katër qendra votimi në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesëmarrja e votuesve të regjistruar jashtë vendit ka arritur në rreth 81 për qind.

KQZ-ja pret që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa incidente në të gjitha komunat e vendit.