Basha: Po ndërtojmë edhe një urë të re mbi lumin Ibër

23:08 | 4 Qershor 2026
E.G

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar për fillimin e punimeve për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Ibër në Komunën e Mitrovicë, projekt që synon të lidhë disa fshatra dhe të përmirësojë qarkullimin në territorin verior të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se ura e re do të lidhë fshatrat Zhabar i Poshtëm – Gushac dhe Vinarc i Poshtëm, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe transportin e mallrave, si dhe duke përmbushur nevojat e institucioneve të sigurisë për qasje më të shpejtë, shkruan Arbresh.info.

“SUPER LAJM PËR MITROVICËN! Po ndërtojmë edhe një URË të RE mbi lumin Ibër! Sot bashkë me Kryeministrin Kurti, Ministrin e Punëve të Brendshme Sveçla dhe Kryetarin Peci, shënuam fillimin e punimeve për ndërtimin e Urës së re që do të lidhë fshatrat Zhabar i Poshtëm – Gushac dhe Vinarc i Poshtëm në Komunën e Mitrovicës, ashtu që do ta rrjetëzojë më mirë tërë territorin verior të vendit.”, ka shkruar ai.

“Ky projekt do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e mallrave, e si i tillë do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të zonës, duke iu përgjigjur njëkohësisht nevojave dhe vlerësimeve të institucioneve të sigurisë për qasje të shpejtë dhe efikase në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Si Ministri do ta bëjmë maksimumin që punimet të zhvillohen me ritëm të shpejtë, profesionalizëm dhe cilësi të lartë, në mënyrë që ky projekt i rëndësishëm në dobi të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në të mirë të shtetit të përfundojë sa më mirë e më shpejt.”, shtoi Basha./Arbresh.info