Njësia A3 e termocentralit `Kosova A` rikthehet në prodhim

17:20 | 4 Qershor 2026
E.G

Njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” është rikthyer me sukses në operim dhe është sinkronizuar me sistemin elektroenergjetik rreth orës 10:00, pas përfundimit të punimeve për sanimin e rrjedhjeve të evidentuara në sistemin gypor të kaldajës dhe realizimit të aktiviteteve të tjera teknike të nevojshme.

Sipas njoftimit të KEK-ut, rikthimi i njësisë në prodhim u mundësua falë angazhimit të pandërprerë, profesionalizmit dhe përkushtimit të punonjësve dhe stafit teknik të TC Kosova A, të cilët realizuan ndërhyrjet e nevojshme në kohë rekord, duke siguruar kthimin e shpejtë të kapaciteteve prodhuese në sistem.

“Aktualisht, njësia operon në gjendje stabile dhe kapacitetet e saj prodhuese janë nominuar në sistem, duke kontribuar në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe stabilitetit të sistemit energjetik të vendit”, thuhet në njoftim .

Sipas KEK-ut, ky sukses dëshmon edhe një herë nivelin e lartë të ekspertizës dhe gatishmërisë së ekipeve profesionale të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilat vazhdojnë të adresojnë me efikasitet sfidat operative dhe të garantojnë funksionim të sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të kapaciteteve gjeneruese.

“Paralelisht me operimet e përditshme, KEK po vazhdon me sukses zbatimin e programit më të madh investiv në sektorin energjetik në katër dekadat e fundit, me projekte strategjike në vlerë prej qindra milionë eurosh. Këto investime përfshijnë modernizimin e njësive B1 dhe B2 në TC Kosova B, avancimin e procedurave për fillimin e projektit të rehabilitimit dhe modernizimit të thellë të njësisë A3 në TC Kosova A, si dhe zhvillimin e projektit të parkut solar me kapacitet prej 100 MW”, thuhet në njioftim.

Përmes këtyre investimeve, KEK thekson se synon të rrisë efikasitetin operacional, të forcojë sigurinë energjetike të Kosovës dhe të krijojë baza të qëndrueshme për një të ardhme energjetike më moderne dhe më të gjelbër.