Rubio: SHBA si heqin sanksionet ndaj Iranit vetëm për hapjen e Hormuzit

19:37 | 2 Qershor 2026
E.G

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar qartë se Uashingtoni nuk do të pranojë të heqë sanksionet ndaj Iranit në këmbim të një hapjeje të plotë të Ngushticës së Hormuzit.

Ky pozicion u shpreh gjatë një seance me ligjvënës amerikanë.

“Kjo nuk është diskutuar dhe nuk është ofruar”, tha Rubio, duke shtuar se çdo lehtësim sanksionesh është “i bazuar në kushte” dhe varet nga dorëzimi i uraniumit të pasuruar nga Irani, si dhe nga aspekte të tjera të programit bërthamor të Teheranit.

Ngushtica e Hormuzit është një prej rrugëve më strategjike detare në botë, nëpër të cilën kalon rreth 20% e naftës së botës.

Irani e ka mbyllur ose kufizuar qarkullimin në të gjatë periudhës së tensionit të fundit, duke krijuar kriza globale energjetike dhe rritje të çmimeve të naftës.

Shtetet e Bashkuara, nën administratën Trump, kanë ndërmarrë operacione ushtarake për të siguruar lirinë e navigacionit, duke përfshirë një “mburojë mbrojtëse” për anijet tregtare.

Rubio dhe Presidenti Donald Trump kanë theksuar se hapja e ngushticës duhet të ndodhë “në një mënyrë ose në një tjetër” – qoftë nëpërmjet një marrëveshjeje diplomatike, qoftë nëpërmjet veprimeve të koalicionit ndërkombëtar.

Megjithatë, ata refuzojnë çdo kërkesë të Iranit për kontroll ose vendosje taksash mbi ngushticën./rtsh