Gjykata Supreme ka njoftuar se ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me mbajtjen e tubimit përmbyllës të fushatës në sheshin “Skënderbeu”.
Rrjedhimisht, PDK do ta mbajë tubimin përmbyllës në këtë shesh, meqë e kishte parashtruar kërkesën më herët.
Në ankesën e paraqitur në Supreme, LVV kishte pretenduar se PZAP ka zbatuar gabimisht nenin 4 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se vendimi i këtij institucioni është i mangët në arsyetim, duke theksuar se kërkesa e subjektit tjetër politik, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e datës 30.04.2026, nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në atë kohë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Prishtinë ende nuk ishte konstituar.
Supremja ka vlerësar se ankesa është e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së është i drejtë, i ligjshëm dhe i mbështetur në dispozitat përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës dhe Deklarimin Financiar.
“Gjykata Supreme konstatoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me nenin 4 të Rregullores Nr. 07/2024, sipas të cilit KKZ mund të refuzojë kërkesën e një subjekti politik në rast se hapësira e kërkuar është rezervuar më parë nga një subjekt tjetër politik”, thuhet në njoftim.
Nga shkresat e lëndës rezulton se subjekti politik PDK kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e tubimit politik në Sheshin “Skënderbeu” më 30.04.2026, ndërsa LVV kishte paraqitur kërkesën më 08.05.2026, për të njëjtën datë dhe lokacion.
“Gjykata vlerësoi se Rregullorja Nr. 07/2024 përcakton vetëm afatin e fundit për paraqitjen e njoftimeve për tubime politike dhe nuk parasheh kufizime lidhur me kohën e paraqitjes së kërkesave para funksionalizimit të KKZ-së.
Po ashtu, Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet e LVV-së lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit të PZAP-së janë të pabazuara, pasi PZAP kishte trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështjen e funksionalizimit të KKZ-së dhe kishte dhënë arsye të qarta juridike mbi bazën e dispozitave të zbatueshme”, thuhet në njoftim.
Dyshohet se mori pagë pa shkuar në punë për 7 vjet, ndalohet...
McKinney viziton Kosovën, theksohet bashkëpunimi në fushën e...
Albin Kurti shkruan në librin e zisë për Hafiz Gagicën: Figu...
Gara për tubimin përmbyllës në sheshin “Skënderbeu”, Supremj...
Osmani: Sa herë që Kosova ka nevojë për dinjitet shtetëror e...
Komisioni Evropian zhbllokon 16 miliardë euro për Hungarinë,...