Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka përgatitur planin operacional dhe të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të planifikuara të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas njoftimit, në kuadër të këtij plani do të angazhohet një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë, kryesisht nga njësitë e rendit publik, por sipas nevojës do të përfshihen edhe pjesëtarë të profileve të tjera policore, së bashku me pajisjet logjistike përkatëse, me synim garantimin e sigurisë dhe zhvillimin normal të procesit zgjedhor.
Policia ka sqaruar se plani operacional është i ndarë në katër etapa: faza përgatitore dhe vlerësuese para zgjedhjeve, angazhimi gjatë fushatës zgjedhore, sigurimi i ditës së votimit dhe periudha pas zgjedhjeve, e cila përfshin transportin dhe ruajtjen e materialit sensitiv deri në përfundimin e procesit.
Në njoftim thuhet se faza e parë tashmë ka përfunduar, ndërsa aktualisht po zbatohet faza e dytë që lidhet me ofrimin e sigurisë gjatë fushatës.
Sipas Policisë, objektiv kryesor mbetet krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit publik para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, si dhe sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit.
Po ashtu, PK-ja ka theksuar se do të ndërmarrë veprime ndaj çdo shkeljeje që cenon procesin zgjedhor dhe të drejtën e votës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.
Bazuar në memorandumin e bashkëpunimit mes KQZ-së, Policisë, Prokurorisë dhe Këshillit Gjyqësor, janë caktuar hetues dhe zyrtarë përgjegjës nëpër rajone për trajtimin e rasteve të mundshme që lidhen me zgjedhjet.
Gjithashtu janë emëruar koordinatorë mes Policisë dhe KQZ-së, ndërsa zyrtarëve policorë u janë dhënë udhëzime të qarta për detyrat dhe përgjegjësitë gjatë procesit zgjedhor.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo parregullsi apo aktivitet të kundërligjshëm që mund të lidhet me sigurinë dhe zgjedhjet.
Dyshohet se mori pagë pa shkuar në punë për 7 vjet, ndalohet...
McKinney viziton Kosovën, theksohet bashkëpunimi në fushën e...
Albin Kurti shkruan në librin e zisë për Hafiz Gagicën: Figu...
Gara për tubimin përmbyllës në sheshin “Skënderbeu”, Supremj...
Osmani: Sa herë që Kosova ka nevojë për dinjitet shtetëror e...
Komisioni Evropian zhbllokon 16 miliardë euro për Hungarinë,...