Kurti uron besimtarët, fton për bashkëpunim dhe ndihmë ndaj njëri-tjetrit

10:45 | 27 Maj 2026
E.H

Kurti me këtë rast ka uruar Myftiun Tërnava dhe besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste dhe mesazhin e saj për sakrificë, solidaritet dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit.

Ai tha se kjo festë “na e përkujton dhe vazhdimisht na mëson se edhe sakrifica është festë, sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre që kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet”.

Kurti përmendi edhe kontributin e atyre që kanë dhënë për vendin, duke thënë se “asnjëherë nuk e harrojmë se aty janë edhe 37 imamë dhe hoxhallarë nga lufta çlirimtare”.

Ai tha se Kurban Bajrami është një thirrje për solidaritet shoqëror. “Kurban Bajrami është festë e cila na obligon të ndihmojmë njëri-tjetrin, të përkujdesemi për njëri-tjetrin dhe të tregojmë bujari e dashamirësi për të mirën e përgjithshme, duke mos lënë asnjë njeri mbrapa”.

Në fund të vizitës, Kurti uroi qytetarët për festën, “edhe një herë urime Kurban Bajrami, me fat e hajr për të gjithë qytetarët”.

Shpërndaje në rrjete sociale