Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit kulturor me Francën

11:49 | 26 Maj 2026
E.K

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Dr. Frédérique Duversin.

Kryeministri e falënderoi Dr. Duversin për përkushtimin e saj shumëvjeçar ndaj Kosovës dhe për kontributin në promovimin e kulturës kosovare në Francë. Ai vlerësoi angazhimin e saj të vazhdueshëm që nga vitet ’90, si dhe mbështetjen që ajo u ka dhënë artistëve, studentëve dhe studiuesve të rinj kosovarë përmes krijimit të mundësive për zhvillim akademik e kulturor në Francë.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, rezidencave artistike dhe promovimit të artistëve, regjisorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve kosovarë në Francë dhe në hapësirën frankofone.

Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me muze, biblioteka, universitete dhe shkolla arti franceze, si një bazë e mirë për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të bashkëpunimit përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris.

Në takim u ritheksua rëndësia e diplomacisë kulturore në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes ndaj promovimit të kulturës, artit dhe bashkëpunimit akademik të Kosovës në hapësirën frankofone./Arbresh.info