Hamza në Vushtrri: Familjet po përballen me vështirësi të mëdha, ndryshimi është i domosdoshëm

11:23 | 20 Maj 2026
E.H

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka vazhduar vizitat në familje të ndryshme në Kosovë, ku thotë se po dëgjon nga afër shqetësimet me të cilat përballen qytetarët çdo ditë.

Gjatë një vizite në familjen Hyseni në Vushtrri, Hamza ka thënë se shumë familje po përballen me çmime dhe tatime të larta, paga të ulëta dhe kosto të mëdha për shëndetësinë, të cilat, sipas tij, paguhen nga vet qytetarët.

Hamza ka premtuar se me qeverisjen e tij do të vijë ndryshimi i kërkuar për çdo familje në Kosovë.

“Vizitat nëpër familjet tona anekënd Kosovës po tregojnë të njëjtën pamje: njerëz të ndershëm, me vullnet të madh për punë dhe që kanë dhënë shumë për Kosovën, por me brenga e shqetësime që po rëndohen çdo ditë. Edhe në familjen Hyseni në Vushtrri dëgjova të njëjtat halle që sot i kanë shumë familje: çmime dhe tatime të larta, paga të pamjaftueshme dhe shpenzime të mëdha për shëndetësinë që paguhen nga xhepi i tyre. Kosova nuk mund të ecë përpara kur familjet mezi e përballojnë muajin. Qytetarët kanë nevojë për një shtet që punon për mirëqenien e tyre, jo për propagandë e kriza të pafundme politike. Me qeverinë tonë, ndryshimi i shumëkërkuar do të vijë për çdo familje të Kosovës”, ka shkruar Hamza në Facebook./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale