Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Agrobiznesit Itali-Kosovë në Prishtinë, platformë kjo që bën bashkë institucione, kompani dhe sipërmarrës nga dy vendet, me qëllim krijimin e partneriteteve konkrete dhe afatgjata.
Në fjalën hyrëse, kryeministri në detyrë Kurti, tha se Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në fushën e ekonomisë, diplomacisë, sigurisë, si dhe në mbështetjen për zhvillimin e vendit tonë.
“Marrëdhëniet tona janë të forta dhe tani është koha që ato të thellohen edhe më shumë në dimensionin ekonomik dhe prodhues”, tha ai, duke potencuar se ky forum ka rëndësi të veçantë, pasi zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm nga kapitali, por ai ndërtohet përmes partneriteteve, shkëmbimit të përvojave dhe lidhjeve direkte ndërmjet bizneseve.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se në vitet e fundit Republika e Kosovës ka rritur eksportet, ka përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe ka tërhequr investime të reja.
I bindur se takimet biznes me biznes, diskutimet profesionale dhe aktivitetet promovuese do të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi midis Kosovës dhe Italisë, jo vetëm në sektorin agro-industrial, por edhe më gjerë, ai tha se vendi ynë është i hapur për investime, për ide të reja dhe për partneritete serioze ekonomike.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuara znj. Mimoza Kusari Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit
I nderuari z. Armend Muja, ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
I nderuari Ambasador Maurizio Antonini, ambasador i Italisë në Kosovë,
E nderuara Ambasadore Nita Shala,
I nderuari z. Donato Scaglione, Zv. President i Asociacionit Italian të Kultivuesve,
I nderuari z. Antonino Cusenza, përfaqësues i Horës së Arbëreshëve,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit nga Italia dhe Kosova,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Italisë,
Të dashur arbëreshë,
Zonja dhe zotërinj,
Benvenuti in Kosova!
Kam kënaqësinë t’ju mirëpres sot, në kuadër të Forumit të Agrobiznesit, një platformë kjo, e cila i sjellë së bashku institucionet, kompanitë dhe sipërmarrësit nga dy vende mike, me qëllim krijimin e partneriteteve sa konkrete aq edhe afatgjata.
Dua të falënderoj Shoqatën italiane të fermerëve, Associazione Italiana Coltivatori – AIC, Presidentin e saj z. Giuseppino Santoianni, si dhe të gjithë partnerët që kontribuan në organizimin e këtij aktiviteti. Prania sot në Kosovë e një delegacioni kaq përfaqësues të sektorit agro-ushqimor italian, është tregues i interesimit serioz për bashkëpunimin ekonomik me vendin tonë.
Një rëndësi të veçantë këtij forumi i jep edhe pjesëmarrja e z. Nicola Caputo, këshilltar për eksportin dhe ndërkombëtarizimin e sektorit agro-ushqimor pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Prania juaj këtu sot është dëshmi e mbështetjes institucionale italiane për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në fushën e ekonomisë, diplomacisë, sigurisë, si dhe në mbështetjen për zhvillimin e vendit tonë. Marrëdhëniet tona janë të forta dhe tani është koha që ato të thellohen edhe më shumë në dimensionin ekonomik dhe prodhues.
Sektori agro-ushqimor italian është ndër më të zhvilluarit në Evropë dhe me kohë është bërë shembull i lidhjes së traditës me cilësinë dhe inovacionin. Sot në Prishtinë kemi kompani italiane që përfaqësojnë pikërisht këtë model, nga prodhuesit e verërave dhe të vajit të ullirit, te produktet organike, gastronomia premium dhe industria ushqimore.
Ky forum ka rëndësi të veçantë, pasi zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm nga kapitali, por ai ndërtohet përmes partneriteteve, shkëmbimit të përvojave dhe lidhjeve direkte ndërmjet bizneseve.
Kosova sot ofron stabilitet makroekonomik, sistem financiar e fiskal të qëndrueshëm, taksa konkurruese dhe një mjedis gjithnjë më të favorshëm për investime. Në vitet e fundit kemi rritur eksportet, kemi përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe kemi tërhequr investime të reja. Por mbi të gjitha, Kosova ka energjinë e njerëzve të saj si një popullsi e re, dinamike dhe sipërmarrëse, e cila kërkon partneritete serioze dhe afatgjata.
Prandaj edhe ky forum ka rëndësi të veçantë e potencial të madh për të dhënë fryte: këtu prezantohen kompanitë e produktet, si dhe krijohen kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet të interesuarve si: prodhuesit, institucionet dhe investitorët. Dhe pikërisht këto kontakte janë baza mbi të cilën ndërtohen projektet konkrete dhe bashkëpunimet afatgjata.
Unë jam i bindur se takimet B2B, biznes me biznes, diskutimet profesionale dhe aktivitetet promovuese të organizuara sot, do të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi midis Kosovës dhe Italisë, jo vetëm në sektorin agro-industrial, por edhe më gjerë.
Kosova është e hapur për investime, për ide të reja dhe për partneritete serioze ekonomike.
Vi ringrazio per la vostra presenza e vi auguro un forum di successo.
Ju faleminderit shumë e mirë se erdhët edhe njëherë në Kosovë, e ju dëshiroj suksese të reja, të tjera, gjithnjë më të mëdha./Arbresh.info
E vrau dhe trupin ia hodhi në humnerë, kërkohet burgim i për...
Mjekja e OBSH ngre alarmin: Ebola mund të përhapet më shpejt...
Pesë serbë ndalohen për cenim të vullnetit të lirë të votues...
Çfarë mesazhi dërgojnë studentët protestues në Serbi me “Mem...
Incidenti me dronin, Estonia mbyll hapësirën ajrore me Ukrai...
Bëhet viral reagimi i Neymarit pas mësoi ftesën nga Brazili ...