Andin Hoti: Kosova po ndërton platformën digjitale ‘ePunësimi’ për modernizimin e tregut të punës

13:23 | 19 Maj 2026
E.H

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare,  Andin Hoti, ka bërë të ditur se Kosova është në proces të ndërtimit të një sistemi të ri digjital të punësimit, përmes platformës “ePunësimi”.

Sipas tij, kjo platformë do të transformojë mënyrën se si qytetarët kërkojnë punë, bizneset gjejnë punëtorë dhe institucionet ofrojnë shërbime më efikase.

Në kuadër të punëtorisë “Përmirësimi i Shërbimeve të Punësimit në Kosovë përmes Platformës Digjitale dhe proceseve të bazuara në evidenca”, është prezantuar progresi i zhvillimit të platformës së re, e cila synon modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve të punësimit në vend.

Hoti theksoi se përmes “ePunësimi” punëkërkuesit do të mund të aplikojnë online, të krijojnë profile profesionale dhe të marrin mbështetje për zhvillimin e karrierës, ndërsa punëdhënësit do të kenë qasje më të shpejtë në menaxhimin e vendeve të lira të punës.

Ai shtoi se institucionet do të kenë një sistem të integruar dhe modern, duke përfshirë edhe lidhjen me Agjencinë e Regjistrit Civil, ATK-në, ARBK-në, Thesarin, eKosova dhe sisteme të tjera shtetërore.

Po ashtu, integrimi i platformave ekzistuese si SIMP, Superpuna dhe KGenU pritet të krijojë një sistem unik digjital për tregun e punës në Kosovë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale