Maqedonci: Në Gjakovë do të prodhohen municione 5.56mm dhe 7.62mm – hap historik për sigurinë

Oplus_16908288

23:04 | 17 Maj 2026
E.G

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kanë vizituar sot kantierin e ndërtimit në Jahoc të Gjakovës, ku kanë nisur punimet për ndërtimin e kompleksit të parë industrial të municioneve në Kosovë.

Sipas Maqedoncit, kompleksi po ndërtohet në një sipërfaqe prej 19 hektarësh, brenda rreth 140 hektarëve të ndarë nga Qeveria e Kosovës për industrinë e mbrojtjes në Gjakovë, ndërsa pritet të jetë fabrika e parë e kësaj natyre me prodhim “Made in Kosova”.

Maqedonci ka njoftuar se në këtë fabrikë do të prodhohen municione 5.56mm dhe 7.62mm, çka thotë se ky është një hap historik drejt fuqizimit të industrisë të mbrojtjes.

Ai ka bërë të ditur se, paralelisht me punimet në Kosovë, në Turqi është drejt përfundimit prodhimi i makinerisë prodhuese, laboratorëve dhe pajisjeve tjera teknike.