Pesë shtetas italianë kanë humbur jetën në një aksident tragjik gjatë një zhytjeje me bombola në Maldive, një prej destinacioneve turistike më të njohura në botë për sportet ujore dhe eksplorimin detar.
Sipas autoriteteve italiane dhe mediave ndërkombëtare, grupi i zhytësve po eksploronte disa shpella nënujore në Atollin Vaavu, në një thellësi prej rreth 50 metrash, kur ndodhi ngjarja fatale.
BBC shkruan se katër prej viktimave ishin pjesë e një ekipi kërkimor nga Universiteti i Genovas, mes tyre profesorja e njohur e ekologjisë detare Monica Montefalcone, vajza e saj Giorgia Sommacal dhe dy studiues të tjerë. Viktima e pestë ishte instruktori i zhytjes dhe menaxheri i operacioneve të anijes, Gianluca Benedetti.
Ministria e Jashtme italiane konfirmoi se 20 shtetas të tjerë italianë, të cilët ndodheshin në jahtin “Duke of York”, janë të sigurt dhe po asistohen nga ambasada italiane në Sri Lanka.
Ekspertët e zhytjes dyshojnë se një nga shkaqet e mundshme të aksidentit mund të ketë qenë toksiciteti i oksigjenit, një fenomen i rrezikshëm që mund të ndodhë gjatë zhytjeve në thellësi të mëdha, sidomos nëse përzierja e gazrave nuk është e përshtatshme.
“Rrymat në Oqeanin Indian janë shumë më të forta sesa në Detin Mesdhe dhe mund të bëhen jashtëzakonisht të rrezikshme,” deklaroi instruktori italian i zhytjes Maurizio Uras, për mediat italiane.
Ngjarja konsiderohet si një nga aksidentet më të rënda të zhytjes që kanë ndodhur ndonjëherë në Maldive. Edhe pse aksidentet e tilla janë të rralla, vitet e fundit janë raportuar disa incidente fatale gjatë aktiviteteve të zhytjes dhe snorkeling-ut në arkipelag.
Cikloni i fuqishëm godet vendin të shtunën: Shqipëria, Maqed...
Ola shkon tek Adioni në Gjakovë, pozon krah vjehrrinjve
OKB paralajmëron për krizë urie në Sudan
Sunny Hill Festival konfirmon emra të rinj: Keinemusik, Seth...
Shkencëtarët zbulojnë mekanizmin e fshehur që kontrollon she...
Google mund të bëjë një ndryshim të madh në Gmail