Veteranët e UÇK-së me kritika ndaj Qeverisë dhe Policisë së Kosovës pas rastit në Skenderaj

15:31 | 15 Maj 2026
E.K

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka mbajtur një takim urgjent pas incidentit në Skenderaj, ku ka lëshuar kritika të ashpra ndaj institucioneve të sigurisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Në komunikatë, organizata i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të veprojë vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, duke pretenduar se nuk duhet të ndikohet nga urdhra politikë.

OVL-UÇK ka akuzuar Qeverinë për, siç thuhet në deklaratë, “skenarë të porositur” dhe ka paralajmëruar se çdo përdorim i uniformës shtetërore si instrument presioni është i papranueshëm.

Organizata ka theksuar se do të kundërshtojë çdo tentim për, siç e quan ajo, “diktaturë”, duke deklaruar se mbetet e gatshme të veprojë në mbrojtje të lirisë dhe shtetit.

Në fund, OVL-UÇK ka deklaruar se “diktatura ka përfunduar në vitin 1999” dhe ka theksuar se liria dhe shteti janë ndërtuar mbi sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së.