Haxhiu: Alush Gashi dha kontribut të çmuar në shtetndërtimin e Kosovës

15:11 | 15 Maj 2026
E.K

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Alush Gashit, duke e cilësuar atë si mjek, profesor universitar, veprimtar politik dhe nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Haxhiu ka vlerësuar kontributin e Gashit në arsim dhe shëndetësi, duke theksuar rolin e tij si profesor i Anatomisë, specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Ajo ka kujtuar gjithashtu angazhimin e tij politik si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe pjesëmarrjen në proceset që çuan drejt pavarësisë së vendit.

Në fund, Haxhiu i ka shprehur ngushëllime familjes Gashi, komunitetit akademik dhe të gjithë atyre që e kanë njohur, duke thënë se kujtimi për të do të mbetet i përjetshëm.