Kurti: Dr. Metë Shatri i bashkohet LVV-së, pjesë e listës për deputetë

15:30 | 13 Maj 2026
E.G

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Dr. Metë Shatri i është bashkuar Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe do të jetë pjesë e listës së kësaj partie për deputetë.

Në një postim në Facebook, Kurti ka prezantuar profilin profesional dhe akademik të Dr. Shatrit, duke theksuar se ai vjen nga fshati Tomoc i Komunës së Istogut dhe nga një familje me traditë atdhetare dhe kontribut për çështjen kombëtare.

Sipas njoftimit, Dr. Metë Shatri shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Istog, ndërsa studimet universitare në drejtimin Stomatologji i ka ndjekur në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ku ka diplomuar në vitin 2013. Specializimin e ka përfunduar në vitin 2020 në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës.

Kurti ka vlerësuar gjithashtu angazhimin profesional të Shatrit në fushën e stomatologjisë, duke përmendur trajnimet dhe avancimet e shumta profesionale që ai ka ndjekur ndër vite.

Dr. Shatri është themelues dhe udhëheqës i ordinancës specialistike stomatologjike “DentLine”, ku ushtron veprimtarinë e tij profesionale.

Në fund të postimit të tij, Kurti i ka uruar mirëseardhje në subjektin politik me fjalët: “Mirë se vjen, Metë!”./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale