Mbi 5 mijë kamionë e autobusë kontrollohen nga Policia, shqiptohen mbi 400 gjoba

11:11 | 13 Maj 2026
E.K

Policia e Kosovës ka njoftuar për realizimin e aktiviteteve operative sipas planit ROADPOL për muajin maj 2026, me fokus kontrollin e mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve “kamion & autobusë”.

Në kuadër të javës së aktiviteteve të ROADPOL 2026 (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore), e cila është realizuar nga data 04 deri më 10 maj 2026, Policia ka bërë të ditur se ka shtuar prezencën dhe kontrollet në të gjitha rrugët e vendit me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimit të aksidenteve.

Në këtë aksion, sipas policisë, njësitë e trafikut kanë realizuar 834 pika kontrolli të mjeteve, ku janë kontrolluar gjithsej 5,344 mjete të transportit të mallrave dhe udhëtarëve.

Sipas Policisë së Kosovës, për parregullsitë e identifikuara janë shqiptuar gjithsej 416 gjoba për kundërvajtje të ndryshme.