Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, bënë homazhe te varri i dëshmorit të kombit, heroit, Agron Rrahmani, në 28-vjetorin e rënies heroike.
Pas nderimeve, kryeministri në detyrë Kurti tha se java e dytë e muajit maj të vitit 1998 ishte shumë e rëndë për luftën çlirimtare, pasi përbrenda saj u vranë Fahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani.
Këto goditje, sipas kryeministrit në detyrë Kurti bënë që, në njërën anë, populli shqiptar ta kuptojë se çlirimi nga pushtuesi dhe agresori serb mund të bëhet vetëm me luftë dhe, në anën tjetër, ndikoi në mobilizimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prononcimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:
Java e dytë e muajit maj të vitit 1998 ka qenë shumë e rëndë për luftën çlirimtare, sepse përbrenda asaj jave vritet Bahri Fazliu – Gëzimi, vritet Ilir Konushevci – Mërgimi dhe vritet Agron Rrahmani – Naseri.
Bahri Fazliu ishte ideologu politik e kombëtar, Ilir Konushevci ishte shpirti i logjistikës dhe i organizimit të UÇK-së, ndërkaq Agron Rrahmani ishte komandanti i paepur i operacioneve, i cili që nga shkurti i vitit 1998 ishte edhe komandant i njësitit gueril “Rexhep Mala”.
Këto goditje i dhanë një hov të madh luftës çlirimtare, sepse populli shqiptar në njërën anë e kuptoi që veçse me luftë do të mund të çlirohemi nga okupatori agresori serb dhe në anën tjetër lufta filloi që të shtrihet edhe në zonat urbane, duke i shtuar kësisoj edhe radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe vetëdijen e mbarë popullit tonë.
Agron Rrahmani në betejë të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe, në “Lagjen e Muhaxherëve”, vetëm një lagje më poshtë prej ku prehet trupi i tij sot këtu, gjithmonë do të mbetet shembull i një veprimtari, i një patrioti, i cili sakrifikon gjithçka, nuk ndalet asnjëherë deri në flijim, për çlirimin e popullit tonë, për lirinë e vendit tonë dhe për përparimin, të cilin ne asnjëherë nuk harrojmë se ku i ka themelet dhe rrënjët.
Lavdi Agron Rrahmanit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!/Arbresh.info

36 zyrtarë policor të NjRSH-së certifikohen në fushën “...
Esktradohet nga Shqipëria në Kosovë i dënuari për trafikim a...
Zgjedhjet e parakohshme, ndryshohet një qendër e votimit në ...
Trump thotë se Irani do të ndalojë “qind për qind̶...
Shqipëria harmonizon Kodin Doganor me standardet e Bashkimit...
Liverpool planifikon t’i shpenzojë 100 milionë për një lojta...