Hoxha takon homologun ukrainas, në fokus ministeriali i Tiranës në qershor

08:57 | 12 Maj 2026
E.K

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha, ku është diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, përpjekjet për t’i dhënë fund agresionit rus dhe panoramën e sigurisë evropiane.

Në një postim në platformën X, Hoxha theksoi se diplomacia nuk kufizohet vetëm në sallat formale, por ndodh kudo, madje edhe gjatë pritjes për fluturime, duke nënvizuar frytshmërinë e bisedës me ministrin ukrainas.

Ai rikujtoi se Shqipëria ka qenë që nga dita e parë përkrah Ukrainës dhe do të vazhdojë ta mbështesë me përkushtim të palëkundur në çdo formë të mundshme.

Në diskutim u trajtuan gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe dhe rrugëtimi i përbashkët drejt Bashkimit Evropian, ku të dy palët nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së ritmit të procesit të anëtarësimit.

Ministri rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën “që nga dita e parë e agresionit rus” dhe angazhimin për të vijuar këtë mbështetje në mënyrë të palëkundur.

Dy palët diskutuan gjithashtu edhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ukrainës, si dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

Një nga pikat kryesore të takimit ishte pikërisht organizimi i ministerialit që do të mbahet në Tiranë në qershor, i cili pritet të mbledhë përfaqësues të lartë për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë dhe sigurinë në Evropë.