Zjarr në katin e gjashtë të një banese, situata vihet nën kontroll

15:16 | 11 Maj 2026
E.K

Një incident zjarri ka ndodhur sot në Prishtinë, në afërsi të shkollës “Meto Bajraktari”.

Sipas zëvendëskomandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Samed Shkodra, zjarri ka shpërthyer në kuzhinën e një banese në katin e gjashtë.

Ekipet e zjarrfikësve janë njoftuar rreth orës 13:06 dhe kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin.

Sipas autoriteteve, nuk ka persona të lënduar dhe situata është vënë plotësisht nën kontroll. Banorët e ndërtesës ishin larguar vetë, pa pasur nevojë për evakuim.