Arrestohet në Gjakovë një i kërkuar nga Interpol-i për vjedhje të rëndë

18:33 | 10 Maj 2026
E.H

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitë policore të rajonit të Gjakovës, sot rreth orës 13:10, ka realizuar arrestimin e një personi të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar.

Personi i arrestuar, shtetasi kosovar me inicialet H.M., kërkohej përmes INTERPOL-it, bazuar në një urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

“Pas arrestimit, me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në koordinim me autoritetet kompetente. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe në realizimin e urdhër arresteve ndërkombëtare, me qëllim të luftimit të krimit dhe forcimit të sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e PK./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale