“Shumë gjëra shkuan kundër nesh” – Kompany shpërthen ndaj gjyqtarëve

08:37 | 7 Maj 2026
D.H

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj vendimeve të gjyqtarëve pas humbjes dhe eliminimit përballë Paris Saint-Germain në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.

Në deklaratën e dhënë për TNT Sports, Kompany tha se në të dyja ndeshjet pati vendime që, sipas tij, dëmtuan skuadrën bavareze, shkruan Arbresh.info.

“Duhet të shikojmë disa nga momentet që u vendosën nga gjyqtarët në të dyja ndeshjet. Nuk është justifikim, por ka rëndësi. Nëse i analizon të dyja takimet, mendoj se shumë gjëra shkuan kundër nesh,” deklaroi ai.

Trajneri belg u ndal veçanërisht te situatat e diskutueshme të penalltive për prekje me dorë.

Ai përmendi fillimisht rastin e Alphonso Davies në ndeshjen e parë, ku sipas tij topi preku fillimisht trupin dhe më pas dorën nga distanca shumë e afërt.

“Na thanë se penalltia u dha për shkak të trajektores së krosimit. Por topi preku fillimisht trupin dhe më pas dorën,” tha Kompany.

Më tej ai komentoi edhe episodin me João Neves në ndeshjen e dytë, duke e cilësuar si një standard të dyfishtë nga arbitrat.

“Dora ishte lart dhe topi e goditi, por nuk u dha penallti sepse topi kishte ardhur nga bashkëlojtari i tij. Nëse i sheh të dyja rastet, duhet të ketë më shumë logjikë dhe sens të përbashkët. Është qesharake,” u shpreh ai.

Sipas Kompanyt, këto vendime ndikuan drejtpërdrejt në fatin e ndeshjes, duke kujtuar se diferenca finale ishte vetëm një gol.

Ai pati kritika edhe për një moment tjetër kontrovers gjatë takimit, që lidhej me kartonin e dytë të verdhë.

“Pashë se gjyqtari ishte gati ta jepte kartonin e dytë dhe mendova se u tërhoq sepse e kuptoi që lojtari kishte tashmë një karton. Pastaj vendimi ndryshoi në favor të kundërshtarit. Nga pamjet që kam parë, Konrad Laimer nuk e prek topin me dorë. Ata thonë se e preku, por unë nuk e di,” përfundoi trajneri i Bayernit.

PSG fitoi me rezultat të përgjithshëm 6:5, derisa në finale do të luaj me Arsenalin./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale