Simeone për Arsenalin: E meritojnë suksesin, sepse kanë vite që punojnë për këtë

08:44 | 6 Maj 2026
D.H

Diego Simeone ka folur pas eliminimit të Atlético Madrid nga UEFA Champions League, pasi Arsenal triumfoi në ndeshjen e kthimit me golin e Bukayo Saka.

Trajneri argjentinas u shpreh i qetë pas ndeshjes, duke theksuar se skuadra e tij dha maksimumin:

“Nëse eliminohemi, do të thotë se kundërshtari ka bërë më shumë. Arsenal ishte shumë i fortë sidomos në pjesën e parë. Unë ndjej qetësi dhe krenari, sepse ekipi dha gjithçka që kishte”, tha fillimisht ai.

Simeone pranoi se në ndeshjen e parë kishin mundësi të fitonin, por mungoi konkretizimi.

“Nuk ishim mjaftueshëm konkretë kur duhej. Sot u mbrojtëm më mirë në pjesën e parë, por nuk krijuam shumë. Në të dytën u përmirësuam dhe patëm disa raste, por nuk ishim me fat”, shtoi tutje.

I pyetur për penalltinë e mundshme ndaj Antoine Griezmann, Simeone refuzoi të justifikohet.

“Nuk dua të ndalem te ajo situatë. Mund të flasim edhe për një faull tjetër, por nuk dua të kërkoj justifikime”, u shpreh argjentinasi.

Ai vlerësoi punën e trajnerit të Arsenalit, Mikel Arteta.

“Arsenal ka bërë një punë shumë të mirë. Kanë edhe fuqi ekonomike dhe kjo ndihmon. E meritojnë suksesin, sepse kanë vite që punojnë për këtë”, potencoi Simeone.

Simeone theksoi se klubi ka bërë progres të madh ndër vite.

“Atlético sot respektohet në Evropë dhe në botë si kurrë më parë. Por tifozët duan trofe, nuk mjafton vetëm të arrish deri këtu”, nënvizoi ai.

Në fund, ai pati fjalë mirënjohjeje për skuadrën dhe në veçanti për Griezmann.

“Faleminderit të gjithë lojtarëve për përkushtimin. Kemi konkurruar me ekipe si Barcelona dhe Arsenal falë përpjekjes së tyre. Shpresoj që tifozët ta vlerësojnë gjithmonë atë që ka dhënë Griezmann për klubin”.

“Ne jemi të parët që duam të fitojmë, por ndonjëherë nuk mjafton”, e mbylli ai.

Atletico do ta mbyll një tjetër sezon pa trofe pas këtij eliminimi. Skuadra e Simeones është mposhtur edhe në finale të Kupës së Spanjës ndaj Sociedadit, si dhe e ka humbur edhe matematikisht titullin në La Liga./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale