Nesër përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për një emër që do të siguronte pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në procesin e votimit.
Lëvizja Vetëvendosje të shtunën doli me një propozim të ri, duke kërkuar nga PDK dhe LDK që të propozojnë tre emra jopartiakë, ndërsa njëri prej tyre të zgjidhet president.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, u dha afat deri të dielën mbrëma kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të paraqitur tre kandidatë. Megjithatë, ky afat ka kaluar pa ndonjë propozim nga dy partitë opozitare.
Mbrëmjen e së dielës pati përplasje deklaratash mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se ende po presin emra konkretë nga opozita.
“Për shkak të rëndësisë së situatës dhe afateve, mbesim në pritje të propozimeve konkrete dhe ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e tre emrave dhe t’i japim fund krizës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Nga ana tjetër, deputetët e LDK-së, Jehona Lushaku dhe Besian Mustafa, pyetën publikisht shumicën parlamentare nëse i ka 66 votat e nevojshme.
“A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar Lushaku.
Ndërsa Mustafa ka reaguar me pyetjen: “Ku mbetën qato 66 vota? A i keni a jo?”.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se këto janë dy ditë vendimtare, ku ose zgjidhet presidenti, ose mandati i kthehet deputetëve.
Të shtunën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se mund ta propozojnë edhe Vjosa Osmanin për presidente, nëse Vetëvendosje garanton 66 vota për zgjedhjen e saj.
Nga ana tjetër, PDK refuzoi ofertën e LVV-së. Kryetari i saj, Bedri Hamza, përmes një videoadresimi tha se Kurti po tenton t’ia hedhë fajin opozitës për bllokimin e procesit.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të reja, në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues. Sipas ligjit, ato do të duhej të mbaheshin më së voni më 7 qershor.
Nëse shpallen, këto do të ishin zgjedhjet e pesta brenda 16 muajve./Arbresh.info
Hatixhe Hoxha, mbi 15 vjet ishte pjesë e Vetëvendosjes
Kica-Xhelili i drejtohet VV-së: Ne kemi propozim konkret, tr...
Musliu: Sapo morëm mesazhin që ka seancë në orën 20:30, po i...
Kuvendi thërret sonte seancë për zgjedhjen e presidentit, ka...
“Janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për ...
Enrique para sfidës me Bayern: Asnjë skuadër nuk është më e ...