“Janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për të përçuar mesazhe fyese” – FBK reagon pas ndodhive në “Karagaç”

20:05 | 27 Prill 2026
D.H

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar pas incidenteve të ndodhura në dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Play-Off-it në ProCredit Superligë, të zhvilluara në Pejë dhe Mitrovicë.

Përmes një komunikate zyrtare, FBK ka dënuar ashpër sjelljet e papranueshme nga tribunat, duke theksuar se janë evidentuar fyerje të organizuara ndaj lojtarëve.

“Federata e Basketbollit e Kosovës dënon sjelljet e papranueshme të evidentuara gjatë dy ndeshjeve të para gjysmëfinale të Play-Off-it”, thuhet në reagim.

Sipas FBK-së, këto veprime bien ndesh me parimet bazë të sportit.

“Gjatë këtyre ndeshjeve janë konstatuar fyerje të organizuara në kor nga tribunat në drejtim të lojtarëve, sjellje që bie ndesh me parimet themelore të respektit, integritetit dhe fair-play që përbëjnë bazën e garave sportive”, thuhet tutje.

Veçanërisht shqetësuese është konsideruar ajo që ndodhi në Pejë.

“Federata e konsideron veçanërisht të rëndë faktin se në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, përveç fyerjeve nga tribunat, janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për të përçuar mesazhe fyese, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare gjatë ndeshjes. Një praktikë e tillë është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë”, vazhdon tutje.

FBK rikujton se përgjegjësia për mbarëvajtjen e ndeshjeve bie mbi organizatorët.

“Përgjegjësia për garantimin e një ambienti të sigurt, dinjitoz dhe të respektueshëm bie mbi organizatorët e ndeshjeve”, thuhet në komunikatë.

Federata ka bërë të ditur se tashmë ka ndërmarrë masa disiplinore dhe paralajmëron për veprime të tjera në rast të përsëritjes së incidenteve.

“Çdo përsëritje e sjelljeve të tilla do të trajtohet pa përjashtim me masa shtesë”, përfundon reagimi i FBK-së.

Në fund, FBK rithekson përkushtimin për respektimin e standardeve dhe vlerave të sportit, duke nënvizuar se respekti dhe integriteti janë të panegociueshme./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale