Kanin: Vetëm paratë mund ta shtyjnë Serbinë të veprojë për Banjskën

11:29 | 25 Prill 2026
E.K

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se, kur bëhet fjalë për incidentin në Banjskë, paratë janë e vetmja gjuhë që Beogradi e kupton vërtet.

Sipas tij, udhëheqja e Serbisë nuk do ta ekstradojë Millan Radoiçiqin dhe as nuk do ta marrë seriozisht përgjegjësinë, përveç nëse Brukseli i lidh qartë fondet e BE-së dhe progresin e anëtarësimit me hapa konkretë në këtë çështje.

“Kjo nuk do ta detyronte domosdoshmërisht [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq të bënte diçka, por do t’i krijonte Serbisë kosto materiale, nëse ai nuk do të vepronte”, thotë Kanin për Radion Evropa e Lirë.

Më 24 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Tolliqin për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.

Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, dhe dhjetëra persona të tjerë të akuzuar nga autoritetet e Kosovës janë në arrati.