Tetë persona të vdekur nga rrëzimi i një helikopteri në Indonezi

08:14 | 17 Prill 2026
E.K

Dy pilotë dhe gjashtë pasagjerë humbën jetën kur një helikopter privat u rrëzua në ishullin indonezian Borneo, njoftoi të premten ministria e transportit të vendit.

Helikopteri, i ndërtuar nga Airbus dhe në pronësi të kompanisë lokale Matthew Air Nusantara ra pesë minuta pas ngritjes nga provinca West Kalimantan dje në mëngjes.

Në bord ndodheshin tetë burra, përfshirë një shtetas malajzian, tha drejtori i përgjithshëm i aviacionit civil Lukman F. Laisa.

Aktualisht nuk është dhënë asnjë shpjegim për shkaqet e katastrofës.

“Të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit kanë ndërruar jetë, bazuar në informacionin tonë nga terreni”, vuri në dukje ai.

Ekipet e shpëtimit i gjetën viktimat mbrëmjen e djeshme, në një zonë të mbuluar nga pyll i dendur, me shpate të pjerrëta, tha një oficer i shërbimit të kërkim-shpëtimit.

Indonezia, një arkipelag i gjerë në Azinë Juglindore, mbështetet shumë në transportin ajror për të lidhur mijëra ishujt e saj.

Por vendi nuk renditet veçanërisht mirë në sigurinë ajrore: ka pasur shumë aksidente fatale vitet e fundit.

Në janar, një avion i marrë me qira nga Ministria e Peshkimit u rrëzua në një zonë malore, duke vrarë të dhjetë personat në bord.

Në shtator të vitit 2025, një helikopter që mbante gjithashtu gjashtë pasagjerë dhe dy pilotë u rrëzua në provincën e Kalimantanit Jugor . Askush nuk mbijetoi.