Irani publikon udhëzimet e navigimit për Ngushticën e Hormuzi, tarifojnë në Bitcoin

08:49 | 9 Prill 2026
Q L

Anijet që planifikojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit duhet të përdorin rrugë alternative për të “respektuar parimet e sigurisë detare dhe për t’u mbrojtur nga përplasjet e mundshme me minat detare”, tha Garda Revolucionare e Iranit në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore iraniane.

Deklarata përshkruan më tej rrugët alternative, së bashku me një hartë që i tregon ato. Anijet që hyjnë nga Deti i Omanit duhet të lundrojnë në veri të ishullit Larak dhe pastaj të vazhdojnë drejt Gjirit Persik.

Anijet që udhëtojnë në drejtim të kundërt duhet të dalin nga Gjiri Persik, të kalojnë në jug të Ishullit Larak dhe të vazhdojnë drejt Detit të Omanit. Udhëheqësit iranianë kanë njoftuar një plan të fokusuar në Bitcoin për të ruajtur kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, duke u lejuar cisternave të naftës të vazhdojnë trafikun normal përmes kësaj rruge ujore vendimtare.

Qeveria iraniane do të ngarkojë një tarifë prej 1 dollari për çdo fuçi nafte që kalon nëpër ngushticë, dhe kjo tarifë do të duhet të paguhet në Bitcoin, sipas një raporti të Financial Times të mërkurën.

Çdo anije që dëshiron të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit do të duhet të njoftojë autoritetet iraniane me anë të email-it për përmbajtjen e ngarkesës së saj dhe më pas të presë për miratim. Pasi të marrin dritën jeshile, operatorët e anijeve do të kenë “disa sekonda” për të dërguar një pagesë Bitcoin në një portofol të kontrolluar nga Irani.