Aksident i rëndë në Itali, humb jetën 62-vjeçarja shqiptare, burri dhe motra në gjendje të rëndë

17:56 | 8 Prill 2026
R J

Një aksident i rëndë rrugor në Itali është kthyer në tragjedi për një familje shqiptare që po kthehej nga pushimet e Pashkëve.

Ngjarja ndodhi gjatë natës në tunelin Montedomini, ku një automjet u përplas me një kamion që lëvizte me shpejtësi të ulët, pasi i ishte shpuar goma.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën 62-vjeçarja shqiptare, Merita Qemali, e cila vdiq pak pas mbërritjes në urgjencën e spitalit të Torrettes, për shkak të plagëve të rënda.

Në automjet udhëtonin edhe tre persona të tjerë, bashkëshorti i saj, 49-vjeçar italian me banim në Chiaravalle, motra e viktimës 47 vjeçe dhe djali 10-vjeçar i drejtuesit të mjetit.

Dy prej të plagosurve mbetën të bllokuar në automjet dhe u nxorën nga zjarrfikësit.

49-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa motra e viktimës është operuar dhe po mbahet në terapi intensive.

Fëmija 10-vjeçar ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën/A2cnn