Kurti: Me Abdixhikun patëm takim konstruktiv e dashamirës, është sfidë gjigande që një parti t’i ketë 80 deputetë për presidentin

13:37 | 6 Prill 2026
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur optimist për tri javët e mbetura deri tek zgjedhja e presidentit.

Ai pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se patën takim dashamirës dhe konstruktiv. Sipas tij zgjedhjet duhet shmangur dhe është sfidë që një parti e vetme t’i arrijë 80 deputetë në zgjedhje.

“Me Abdixhikun ishin në takim afër 2 orë me këtë rast diskutuam për situatën e re politike, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese…Çështja kryesore që u diskutua ishte fakti që na kanë ngelur edhe tri javë deri tek zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimalizojmë përpjekjet. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të përcaktuar t’i shmangim zgjedhjet e reja sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Është vështirë ta paramendojmë një fushatë zgjedhore me po të njëjtat zotime, për një rezultat që e dijmë që nuk mund të jetë shumë ndryshe. Numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë nuk e kemi sfidë, por është sfidë tejet gjigande që një parti t’i ketë 80 deputetë dhe ta zgjedhë vetë presidentin”, tha Kurti para mediave.