Murati i përgjigjet Hamzës: Rritja ekonomike më 2025 erdhi nga ngërçi politik, jo dështimeve të qeverisë

13:07 | 3 Prill 2026
E.K

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur deklaratave të Bedri Hamzës lidhur me raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke theksuar se rritja ekonomike në vitin 2025 është ndikuar nga mosfunksionimi i plotë i institucioneve.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Murati tha se rritja ekonomike prej 3.6% është ndikuar nga bllokada institucionale, pasi Kuvendi nuk ka qenë funksional gjatë vitit të kaluar, duke penguar miratimin e reformave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ai bëri edhe krahasim me vitin 2018, kur Hamza ishte ministër i Financave. Sipas Muratit, në atë periudhë, pavarësisht se institucionet ishin funksionale dhe nuk kishte kriza, rritja ekonomike ishte më e ulët, rreth 3.4%.

“Sa i përket raportit të FMN-së. I nderuar zotëri Hamza, po, është e vërtetë që vitin e kaluar rritja ekonomike është përllogaritur të jetë 3.6%.Por kjo, edhe sipas raportit të konfirmuar, është për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve. Siç e dini, pra vitin e kaluar, gjatë gjithë vitit, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka qenë në funksion efektiv dhe ka pamundësuar shumë prej reformave, e madje edhe miratimin e shumë prej marrëveshjeve ndërkombëtare që do t’i jepnin impuls shtesë ekonomisë së vendit. Sa për krahasim, në vitin 2018 kur ju keni qenë ministër i Financave pa asnjë krizë, me parlament funksional, me qeveri funksionale rritja ekonomike ka qenë veç 3.4%. Pra, më e ulët sesa ne që e kemi pasur kur ka pasur kuvend jofunksional. Sa i përket pagave, u tha që nuk janë rritur. E pavërtetë gjithashtu. Pra, në sektorin publik pagat janë rritur 45%, duke mos llogaritur këtu edhe pagën e 13-të që sapo është dhënë. Ndërkaq paga minimale, nga niveli 170 euro që e kemi gjetur, aktualisht është 264 euro dhe në korrik të këtij viti bëhet 500 euro. Pra, trefishim gati i pagës minimale në sektorin privat“, tha Murati.